Meta pret presidentin e Bundestagut

22/04/2016 11:50

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Presidentin e Bundestagut gjerman, Norbert Lammert, pas një fjale përshëndetëse që ky i fundit mbajti në Sallën Plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

Dy kryeparlamentarët vlerësuan marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe theksuan se bashkëpunimi i shkëlqyer dhe lidhjet e ngushta ndërparlamentare duhet të orientohen drejt intensifikimit të shkëmbimeve ekonomike e tregtare.

Meta vuri në dukje se në kuadër të integrimit të saj evropian, Shqipëria ka ndërmarrë një axhendë ambicioze reformash të thella, ku kryefjala mbetet reformimi i sistemit të drejtësisë dhe në këtë drejtim, Kuvendi do të jetë platforma e bashkëpunimit konsensual dhe dialogut konstruktiv politik.

Lammert shprehu vlerësimin për progresin e bërë nga Shqipëria në vite dhe nënvizoi se përshpejtimi i reformave substanciale do t’i shërbejë perspektivës së qartë evropiane të Shqipërisë, duke iu përgjigjur kështu pritshmërive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Lammert theksoi se Gjermania do ta mbështesë rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe vuri në dukje se për vendet anëtare dhe veçanërisht për Gjermaninë, thelbësor mbetet procesi i zbatimit të ndryshimeve kushtetuese pas miratimit të tyre, proces të cilit do t’i kushtohet vëmendje e veçantë.

Top Channel