Lammert: Reforma në drejtësi të garantojë pavarësinë

22/04/2016 00:00

Norbert Lammert, President i Bundestagut gjerman, nga salla plenare e Kuvendit të Shqipërisë i kërkoi politikës bërjen kujdes me hapat që po hidhen për  reformën në drejtësi.

Ai theksoi se “kompromisi është kusht i domosdoshëm për funksionimin e një sistemi demokratik” dhe gjithashtu kusht për anëtarësimin në BE.

“Reforma në drejtësi, në këndvështrimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, e cila duhet të jetë e garantuar, jo thjesht e lajmëruar, e njoftuar, por e garantuar, është një kusht i domosdoshëm për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Duke qenë se gjatë mandatit tim kam mundur të asistoj dhe të përjetoj disa procese negociatash për Bashkimin Europian, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj, pikërisht  gjetjen e gadishmërisë nga të dyja palët, sepse shpeshherë kam pasur rastin të konstatoj që ka një lloj ngutjeje nga vendi që aspiron kandidimin në Bashkimin Europian dhe këto reforma do të mund të realizoheshin mjaft mirë duke qenë thjesht kandidat për Bashkimin Europian deri në momentin që bëhesh pjesë e tij”, tha ai.

“Për Shqipërinë vlen të thuhet se BE-ja nuk është në situatë të thjeshtë për momentin. Zhvillimi i BE-së varet nga aftësia për kompromis e vendeve anëtare. Interesi për zgjerim me shtetet e tjera është i kufizuar. Kjo i rrit pretendimet për anëtarë të tjerë dhe aktualisht shoh pak vende që i konsideroj si anëtarë të ardhshëm, por Shqipëria është njëri prej tyre. Uroj që të ketë një proces reformash të shpejtë”, u shpreh Lammert.

Gjatë vizitës njëditore në Tiranë presidenti Bundestagut u prit nga presidenti Nishani dhe kryeparlamentari Meta.

Top Channel