E gjithë bota po i bën homazhet e saj ikonës së popit Prince, të shuar në moshën 57-vjeçare në rrethana ende të pashpjeguara në kompleksin e tij të banimit në Minesota. E gjithë jeta e autorit të “Purple Rain” po kremtohet me të purpurt: ndërtesa, faqe të para gazetash e faqe interneti në mbarë Shtetet e Bashkuara e përtej tyre kanë ndryshuar ngjyrë në nder të tij.
Në qytetin e lindjes, Mineapolis, ekipi i bejsbollit Minnesota Tëins e ktheu stadiumin në ngjyrën vjollcë, ashtu siç ndodhi edhe me urën Lowry Avenue Bridge, apo me një sërë ndërtesash të rëndësishme në Nju Jork e Nju Orlins. E ndërsa ujvara e Niagarës u ndriçua në vjolë për të shënuar në këtë mënyrë 90-vjetorin e Mbretëreshës Elisabetë, për adhuruesit e Princit, koincidenca ishte mëse e mirëpritur.
Logoja e MTV-së në Twitter u kthye në të purpurt dhe ajo. Faqja e parë e gazetës britanike The Sun mbulohej nga një fotografi e këngëtarit në një sfond vjolë, ndërsa titulli ishte: “Mbretërisë vjollcë i erdhi fundi”. Që në orët e para të ditës së sotme, me qindra vetë u mblodhën në qendrën e Mineapolisit e në një pikë të gjithë filluan të këndonin së bashku hitin e vitit 1984, “Purple Rain”.
Nga yjet e muzikës e deri tek liderët politikë, homazhet për Prince kanë vërshuar lumë. “Të paktë janë artistët që e kanë influencuar tingullin dhe trajektoren e muzikës në mënyrë kaq të dallueshme apo kanë prekur kaq shumë njerëz me talentin e tyre”, u shpreh Barack Obama. Madonna e përshkroi si një “vizionar që ndryshoi botën”, Mick Jagger foli për një “talent pa kufi, një artist të jashtëzakonshëm e një poet të mrekullueshëm”, ndërsa për Aretha Franklin, ai ishte “origjinalitet i pastër dhe i vetëm në llojin e tij”. “Nuk mund të ketë një tjetër Prince”, shtoi ajo.
Deri tani nuk ka asnjë shkak zyrtar për vdekjen dhe po priten rezultatet e hetimit “post-mortem”, por, sipas një raporti, vetëm disa ditë përpara se të ndërronte jetë, artisti ishte trajtuar për një mbidozë lëndësh narkotike.
Top Channel