“Armatosja”, Byroja përjashton Berishën nga Kuvendi

22/04/2016 00:00

Byroja e Kuvendit ka përjashtuar me 10 ditë ish-kryeministrin, Sali Berisha për deklaratat e lëshuara një ditë më parë prej tij në seancë plenare.

“Iu bëj thirrje qytetarëve që të armatosen për të mbrojtur veten dhe sigurinë e tyre. Nëse ju kërcënoni me banda opozitën, qytetarët janë të gatshëm t’ju kundërshtojnë me armë e të mos gjeni vrimë ku të futeni. Armatosen amerikanët, armatosen të gjithë qytetarët. Me këtë organizatë kriminale në pushtet nuk ka siguri, rend dhe qetësi”, ka thënë Berisha.

Pas kësaj deklarate, reaguan deputetët socialistë që dorëzuan në Byro kërkesën për përjashtimin e Berishës me 10 ditë, ndërsa ministri Tahiri kërkoi edhe nga Prokuroria nisjen e hetimeve për shkeljen e Kodit Penal.

Por, nënkryetari demokrat i Byrosë, Edmond Spaho e cilësoi politik vendimin e Byrosë dhe që ka një mision të vetëm; shmangien e vëmendjes nga kriminalizimi, duke harruar një fakt të rëndësishëm, sipas opozitës.

“Kjo maxhorancë është e lidhur me krimin dhe nuk ka dallim mes bandave dhe qeverisjes, sikurse është i njëjtë Emiljano Shullazi me ministrin e Brendshëm”, tha ai.

Sipas Spahos Berisha nuk ka shkelur asnjë ligj.

“Po të kesh votat në Byro, ligjin e bën sikurse dëshiron. E shikoj si përpjekje për të larguar vëmendjen nga problemi i vërtetë që janë lidhjet e ngushta të kësaj qeverie me krimin e organizuar”, deklaroi Spaho.

Maxhoranca i bën një tjetër lexim vendimit dhe ai që foli për mediat në përfundim të mbledhjes së Byrosë ishte deputeti Taulant Balla.
“Byroja vendosi për respektimin e ligjit dhe të Kushtetutës, vendimi më i ashpër që sanksionon rregullorja e Kuvendit me përjashtim prej 10 ditësh, në pamundësi për të shqyrtuar shkeljet në Kodit Penal”, tha ai.

E duke qenë se Kodi Penal është jashtë juridiksionit të Byrosë, Balla përsëriti thirrjen drejtuar Prokurorisë për të hetuar Sali Berishën, që sipas tij ka shkelur nenet 222 dhe 223 të Kodit Penal.

“I takon drejtësisë dhe ne kërkojmë nga Prokuroria që të nisë menjëherë hetimin. Fakti që edhe Byroja i gjeti të paligjshme këto deklarata janë të mjaftueshme që të merren në konsideratë nga prokuroria”, tha Balla.

Deklaratat e Berishës deputeti socialist i vlerëson të mirëmenduar dhe me një synim të vetëm.

“Janë të menduara mirë nga Sali Berisha që nuk do reformën në drejtësi dhe as PD nuk e dashka këtë”, u shpreh ai.

Refuzimi i reformës nga ana e Partisë Demokratike, sipas Ballës vërtetohet me një fakt të vetëm.

“Kanë kaluar 24 orë dhe nuk kemi ende një deklaratë nga PD, që nuk është distancuar nga kjo deklaratë, madje ka një përpjekje të pakuptueshme për ta justifikuar këtë deklaratë”, tha Balla.

Top Channel