Apeli shpall të pafajshëm Xhelal Mziun

22/04/2016 13:00

Gjykata e Apelit ka vendosur pushimin e çështjes dhe shpalljen e pafajshëm të kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu dhe dy vartësve te tij, drejtorit juridik Atli Hoti dhe drejtorit të taksave në këtë bashki, Bujar Losha.

Relatori i Kolegjit Penal në Gjykatën e Apelit, Lefter Jahja, ka rrezuar jo vetëm vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Shkallës së Parë, që e dënonte Mziun me 2 vite burgim për akuzën e shpërdorimit të detyrës, por në vendimin e pushimit të çështjes nga ana juridike lë të kuptohet se hetimet ndaj Mziut nuk duhej të kishin filluar ose nuk duhej të kishin vazhduar.

Vetë i pandehuri Xhelal Mziu, pas seancës la të kuptohej se e priste këtë vendim dhe se çështja e ngritur ndaj tij ishte një presion politik.

“Drejtësia u vu në vend. Uroj që këtë presion politik të mos e përjetojë askush tjetër”, tha Mziu pas dhënies së vendimit.

Kundër këtij vendimi, Prokuroria e Apelit pritet të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda afatit ligjor.

Top Channel