Çështja e pronave është gjykuar disa herë në Gjykatën Kushtetuese gjatë pluralizmit, por kjo e së enjtes theu çdo rekord. Në një seancë që zgjati gati 7 orë, 7 subjekte kundërshtuan ligjin e ri të pronave, si një ligj që – sipas tyre, – shpronëson për herë të dytë pronarët.
Këtë bindje mbrojti edhe Presidenti i Republikës, i cili kërkoi, bashkë me disa shoqata ish-pronarësh, pezullimin e ligjit.
“Ne kërkojmë pezullimin e zbatimit të këtij ligji, sepse kjo do të sjellë pasoja të pariparueshme për të gjithë pronarët. Jo vetëm atyre që i drejtohen AKKP-së, por përbën çështje gjyqësore edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut”, tha Ledina Mandia, përfaqësuese e Presidencës.
Partia Demokratike kërkoi shfuqizimin e 10 neneve të ligjit të pronave, që praktikisht zhvlerësojnë mekanizmin e ligjit, që sipas opozitës u heq pronarëve një shpërblim të drejtë.
“Me ligjin e vjetër, për 1000 metra do të merrte 100% kompensim fizik. Ndërsa me ligjin e ri do të njihet fakti që prona është e lirë, por do të bëhet përllogaritja. Atëherë, 1000 metra katrorë do të vlenin 38 milionë lekë, ndërkohë që vlera me kadastrën e vjetër do të ishte 550 mijë lekë”, tha Oerd Bylykbashi, përfaqësues i PD-së.
Qeveria e ka mbrojtur ligjin me argumentin e interesit publik, për të cilin u interesua edhe njëri prej anëtarëve të gjykatës.
“Ku qëndron interesi publik, që në këtë rast ndërhyka në një të drejtë themelore të individit, që është e drejta e pronës, që kudo në kushtetutat më moderne të botës konceptohet si e shenjtë dhe e paprekshme?”, pyeti Vladimir Kristo, anëtar i Kushtetueses.
“Qëndron te fakti i faturës financiare pas këtij ligji. Ashtu siç vlerësohet nga pronarët, apo siç kërkohet që të paguhet sot, përbën të paktën 30 miliardë dollarë”, u përgjigj Alma Hicka, avokate e Shtetit.
Pas gati 7 orësh, Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin e saj.
“Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi edhe pretendimet e palëve në seancë, në lidhje me kërkesën për masën provizore të pezullimit, vlerëson që zbatimi i këtij ligji deri në përfundim të shqyrtimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese dhe publikimin e vendimit përfundimtar, nuk sjell pasoja të pariparueshme, të cilat lidhen në varësi të vendimmarrjes që do të bëjë Kushtetuesja në lidhje me themelin e çështjes”, deklaroi Bashkim Dedja, kreu i Gjykatës Kushtetuese.
***
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese shmang atë që qeveria e quajti më herët si “katastrofë”. Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani e quan situatën e pronave si një çështje të papërgjegjshmërisë së politikës, Manjani këmbëngul se nëse gjykata vendos për pezullimin e ligjit do të ketë pasoja.
“Do të thotë që do të përzëmë këta njerëz dhe do t’i themi që nuk na lënë të zbatohet ligji, do mendojmë si do të djegim paratë që janë vënë për kompensim. Do të bllokohet e gjithë veprimtaria e verfikimit. Janë 26 mijë vendime ndër vite që kërkojnë një përllogaritje në vlerë dhe nuk do të bëhen”, thotë ai.
Kaosin që mund të shkaktohej nga pezullimi i këtij ligji e paralajmëroi edhe drejtorja e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato. Ajo shpjegon se një vendim i tillë do të ndalonte të gjithë punën e agjencisë duke bllokuar si shpërndarjen e fondit financiar dhe të atij fizik, ashtu edhe procesin e shqyrtimit të afro 11 mijë dosjeve të ish-pronarëve.
“Do të sillte ngrirjen e aktivitetit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, që ka në dorë veprimtarinë për shqyrtimin prej 11 mijë dosjesh. Do të bllokonte fondin e miratuar në dhjetor të 2015 nga qeveria, 24 milionë dollarë që mbi bazën e ligjit të ri do të nisin procedurat për shpërndarjen e këtij fondi. Do të pezullohet gjithashtu edhe shpërndarja e fondit fizik. Ne kemi rreth 23 mijë ha tokë gati për këtë”, thotë Qato.
Top Channel