
Liderët e Rusisë dhe Ukrainës zhvilluan një bisedë telefonike për fatin e të burgosurve nga radhët respektive, duke sugjeruar mundësinë e një shkëmbimi.
Telefonata u bë pasi Ukraina burgosi për krime në lidhje me terrorizmin dy persona që dyshohet se i përkasin forcave speciale ruse. Yevgeny Yerofeyev dhe Alexander Alexandrov akuzohen për përfshirje në konfliktin e Ukrainës me rebelët pro rusë në lindje të vendit.
Ndërkohë, javë më parë, një gjykatë ruse dënoi piloten ukrainase Nadia Savcenko me 22 vjet burg në mars. Ajo u kap nga rebelët në 2015 dhe u dënua pasi u shpall fajtore se drejtoi zjarrin e artilerisë mbi gazetarët rusë.
Raportet mes Ukrainës dhe Rusisë janë përkeqësuar tej mase pas aneksimit rus të Krimesë në 2014 dhe mbështetjes që Moska i jep separatistëve. Sipas Kremlinit, dy presidentët, Vladimir Putin dhe Petro Poroshenko zhvilluan telefonatë mbrëmjen e së hënës.
Gjatë bisedës, ata ranë dakord që Savcenko të kishte vizita konsullore. Analistët thonë se gjyqet në të dyja palët janë një tjetër mënyrë përballje mes Ukrainës dhe Rusisë që po përdorin çdo mjet për të shprehur rivalitetin.
Më herët Ukraina kishte propozuar shkëmbimin e dy ushtarëve rusë me piloten Savcekno dhe kjo telefonatë thjesht përforcon zërat për një procedurë të tillë të mundshme.
Top Channel