
Çkodimi i telefonit të terroristit të San Bernardinoi i siguroi FBI-së të dhëna që nuk i kishte më parë dhe ndihmoi autoritetet që t’i përgjigjeshin disa pyetjeve për hetimin që vazhdon.
Hetuesit tashmë besojnë se terroristi Syed Farook nuk pati kontakte me të dyshuar të tjerë gjatë boshllëkut prej 18 minutash që FBI thoshte se mungonte në rindërtimin e ngjarjes.
Sipas FBI-së, nuk ishte e qartë se ku Syed Farook ndodhej për 18 minuta pas masakrës dhe dyshohej se mund të kishte kontaktuar me terroristë të tjerë.
Çkodimi i telefonit ndihmoi hetuesit që t’i përgjigjeshin shqetësimeve, nëse çifti vrasës kishte mbështetje apo jo. Në telefon, gjithashtu nuk u gjetën prova të kontakteve ne shtetin islamik gjatë 18 minutave misterioze.
Ekspertët nga sektori privat ndihmuan FBI-në që të çkodonte telefonin, i cili ishte në qendër të një çështje ligjore mes qeverisë dhe “Apple”. Kjo e fundit nuk pranoi urdhrin e një gjykate që të detyronte të dëmtonte sigurinë e pajisjeve të veta.
Sipas hetuesve të FBI-së, në telefon u gjetën të dhëna që ata nuk i kishin, megjithëse preferuan që të mos japin detaje për ato që zbuluan.
Zyrtarë amerikanë thanë se të dhënat po analizohen dhe po ndiqen disa piste hetimi.
Top Channel