
Agjencia e Kombeve të Bashkuara e specializuar për çështjet e refugjatëve ka bërë të ditur këtë të mërkurë se i frikësohet faktit që, rreth 500 emigrantë nga Afrika të jenë mbytur në ujërat e Mesdheut, pas përmbysjes së varkës me të cilën udhëtonin.
Zëdhënësja e UNHCR-së, Carlotta Sami, përmes një deklarate dërguar agjencisë së lajmeve “AFP”, tha se të mbijetuar nga Somalia, Sudani, Etiopia dhe Egjipti, të cilët u shpëtuan nga një tjetër varkë e vogël e rastësishme, e pëshkruan atë që panë si “një shkatërrim i mjetit lundrues që u mori jetët të paktën 500 vetëve”.
Të mbijetuarit, – 37 burra, 3 gra dhe një fëmijë 3-vjeçar – thanë se rreth 100 deri në 200 persona ishin nisur nga brigjet e Tobrukut në Libi, në bordin e një varke të madhe por të papërshtatshme për lundrim të gjatë.
Në mes të detit, trafikantët sollën edhe pasagjerë të tjerë, duke i transferuar ata nga një varkë e vogël. Për shkak të mbingarkesës, varka e madhe u mbyt”, thuhet në deklaratën e UNHCR-së.
Të mbijetuarit notonin në det me synim të gjenin shpëtim, derisa u pikasën dhe u shpëtuan më 16 prill, e një ditë më pas u transportuan për në Kalamata të Greqisë, njofton agjencia e OKB-së. Data e mbytjes së anijes ende nuk është zyrtarisht e konfirmuar, ndërsa nuk jepet as informacion se kush i shpëtoi emigrantët.
Top Channel