Autori i vrasjes masive në Norvegji, Anders Behring Breivik ka fituar pjesërisht gjyqin e tij për respektimin e të drejtave të njeriut përballë shtetit norvegjez.
Gjykata pranoi deklaratën e tij se disa nga mënyrat e trajtimit në qendrën e burgimit ishin “çnjerëzore, degraduese dhe në disa raste ndëshkuese”.
Në përfundim të gjyqit, avokati i Breivik, Oystein Storrvik bëri thirrje që izolimi individual i klientit të tij të anulohet.
Breivik, një ekstremist i djathtë, vrau disa dhjetëra të rinj, aktivistë politikë të qendrës së majtë në një sulm në ishullin Utoja, në korrik të vitit 2011. Më herët të njëjtën ditë, ai hodhi në erë një automjet në kryeqytetin Oslo duke vrarë 8 persona.
Duke lexuar vendimin e saj, gjyqtarja Helen Andenaes Sekulic deklaroi se e drejta për të mos qenë subjekt i trajtimeve çnjerëzore përbën një “vlerë themelore në një shoqëri demokratike, e zbatueshme edhe për terroristët dhe vrasësit”.
Breivik kishte paditur qeverinë norvegjeze për izolimin e tij në qendrën e burgimit, ku ai rrinte vetëm 22 nga 23 orë në ditë, i mohohej kontakti me të dënuar të tjerë përveç stafit të burgut, me të cilët komunikonte përmes një barriere xhami.
Top Channel