India kërkon rikthimin e diamantit të Mbretëreshës Elisabeth

20/04/2016 00:00

Qeveria indiane po bën të gjitha përpjekjet e mundshme që të rimarrë diamantin “Kohinoor”, duke kundërshtuar deklaratat e mëparshme të ndihmësprokurorit të Pëgjithshëm të Indisë se, diamanti iu dhurua Mbretërisë së Bashkuar dhe nuk u vodh.

Sipas medieve, ndihmëskryeprokurori Tanxhit Kumar i tha Gjykatës së Lartë indiane se, diamanti nuk u vodh, nuk u mor me forcë, por iu dhurua kompanisë së Indisë lindore nga sundimtarët e dikurshëm “punxhabë”.

Diamanti legjendar prej 105.6 karat, emri i të cilit përkthehet “Mali i dritës”, gjendet në kurorën e nënës mbretëreshë në ekspozitën e kullës së Londrës. Ai ka qenë objekt i kontradiktave të gjata, pasi pretendohet jo vetëm nga India, por edhe nga Pakistani.

Diamanti “Kohinoor” u nxor nga toka në minierat e Golkondës në Indinë jugore dhe kaloi në duart e princave “mugalë”, luftëtarëve iranianë, sundimtarëve afganë dhe “maharaxhave punxhabë”, para se të përfundonte në duart e britanikëve në vitin 1849.

Në vitin 1852, diamanti u pre në formë ovale dhe aktualisht gjendet në kurorën e nënës mbretëreshë. Autoritetet indiane thanë se, pikëpamjet e ndihmëskryeprokurorit nuk ishin ato të qeverisë indiane, e cila po bën të gjitha përpjekjet për të kthyer diamantin “Kohinoor” në një mënyrë miqësore.

Që kur kryeministri indian, Narendra Modi, mori drejtimin e qeverisë dy vite më parë, Indisë i janë kthyer shumë thesare të saj dhe kërkesa për diamantin është pjesë e kësaj nisme.

Top Channel