
Forcat speciale franceze simuluan një sulm të shumëfishtë terrorist në terminalin e trenave në Paris, në orët e para të ditës së mërkurë. Stërvitja u krye nga forcat speciale, bashkë me policitë rurale dhe urbane të Parisit, në stacionin që lidh kryeqytetin me qytetet perëndimore franceze si Nantë, Bordo dhe Tuluzë.
Operacioni stërvitor u zhvillua një ditë pasi ministri i Brendshëm i Francës, Bernard Cazeneuve tha se, të përballura me sulme në shkallë të mëdha, degët e ndryshme të policisë franceze duhet të punojnë më ngushtë së bashku.
Prej muajsh, Franca është në gatishmëri të lartë dhe në gjendje emergjence pas sulmeve terroriste që pësoi kryeqyteti francez dhe që sollën klimën e terrorit në Europë. Edhe ushtria është dislokuar në rrugë nga qeveria për të garantuar sigurinë për qytetarët.
Stërvitja e policisë parapriu publikimin e qëndrimit të autoriteteve franceze se, gjendja e emergjencës duhet zgjatur në mënyrë që të mbulojë edhe zhvillimin e kampionatit europian të futbollit, këtë verë.
Kryeministri francez Manuel Valls tha se, kjo masë është e nevojshme për të pasur rend dhe siguri për të gjithë. Ai tha se, vërtet masat e larta të sigurisë bien ndesh me klimën që duhet të ketë një festë si kampionati i futbollit, por duke gjykuar shkallën e këtij evenimenti dhe kërcënimet me të cilat përballet vendi, gjendja e sigurisë bëhet e nevojshme.
Valls tha se zgjatja e gjendjes së sigurisë për kampionatin europian është mendim që mbështetet nga Presidenti Hollande dhe ministri i Brendshëm.
Top Channel