Ekuador, ndihma drejt zonave të shkatërruara nga tërmeti

20/04/2016 00:00

Agjencitë kanë rritur ndihmat pas tërmetit shkatërrues të së shtunës në Ekuador, për shkak të shqetësimeve mbi kushtet me të cilat po përballen të mbijetuarit.

Mijëra njerëz kanë mbetur të pastrehë, duke i bërë ata me te ekspozuar ndaj ujit te ndotur dhe sëmundjeve. Sipas “New York Times”, programi Botëror i Ushqimit , OKB dhe Oxfam kanë dërguar furnizime.

Bilanci tragjik i viktimave të shkaktuara nga tërmeti vdekjeprurës në Ekuador rritet çdo orë që kalon. Sipas autoriteteve vendase, të paktën 413 persona kanë humbur jetën dhe mbi 2500 të tjerë janë plagosur si pasojë e tërmetit më të fuqishëm në vend prej dekadash.

Aktualisht vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në shumë zona të vendit. Të hënën vonë, 6 njerëz, mes të cilëve dy vajza 2 dhe 3-vjeç u nxorën të gjalla nga rrënojat e një hoteli në qytetin bregdetar Manta.

Por ndërsa orët kalojnë zbehet gjithnjë e më shumë shpresa për të gjetur të tjerë të mbijetuar. Autoritetet ekuadoriane thanë e bilanci i viktimave do të rritet edhe më shumë, pasi një numër i madh njerëzish mungojnë në apel.

Top Channel