Terrorizmi, “Bild”: Rrezik sulmesh në plazhet europiane

19/04/2016 10:25

E përditshmja gjermane “Bild” jep alarmin për atentate të ISIS-it në plazhet e Italisë dhe Spanjës. “Terroristë, që hiqen si shitës ambulantë, po përgatisin sulme vetëvrasëse”, thotë gazeta, por shërbimet italiane të Inteligjencës përpiqen të qetësojne opinionin publik e këmbëngulin se nuk kanë asnjë informacion të kësaj natyre.

Frika për akte terroriste, – sipas “Bild”-it, prek të gjitha plazhet europiane, megjithatë Italia, Spanja dhe Jugu i Francës janë në shënjestër më shumë se të tjerat.

Duke cituar ekspertë të sigurisë, e përditshmja gjermane thotë se, të tilla të dhëna mbërrijnë nga Afrika dhe se, terroristët janë të gatshem të përdorin armë dhe eksplozivë mes çadrave dhe shezlongeve nëpër plazhe.

Një zyrtar i lartë gjerman i sigurisë, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, i ka thënë gazetës se ISIS-i po përpiqet të konceptojë kështu një përmasë të re të terrorit, me arsyetimin e thjeshtë se plazhet nuk mbrohen dot.

Për agjentët italianë, alarmi është i pabazë. Sidoqoftë, ekstremizmi islamik i ka shënjestruar disa herë plazhistët deri më tani, siç ndodhi në Sousse të Tunizisë qershorin e 2015-s, kur një 23-vjeçar i armatosur me kallashnikov vrau 38 turistë, disa prej të cilëve britanikë e gjermanë, ndërsa janarin e këtij viti, dy agresorë të mbërritur nga deti mësynë hotelin e “Hurghada”-s në Egjipt, e plagosën 3 të huaj, para se të qëlloheshin për vdekje nga forcat e sigurisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA