Shkodër, tritol subjektit privat; vetëm dëme materiale

19/04/2016 00:00

Një shpërthim ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të hënës në Shkodër, ku si pasojë ka pësuar dëme materiale një subjekt privat.

Sipas një njoftimi të drejtorisë lokale të policisë, ngjarja ka ndodhur në orën 23:05, në lagjen “Skënderbeg”.

Si pasojë e shpërthimit, i shkaktuar nga një sasi tritoli, janë dëmtuar xhamat e një lokali, të marrë me qera nga shtetasi me inicialet S.Gj.

Në njoftim thuhet se pasi është bërë mbikëqyrja e vendit të ngjarjes, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit.

Materialet hetimore ndodhen tashmë në duart e Prokurorisë së Shkodrës, që po e trajton çështjen në kuadër të veprës penale të “shkatërrimit të pronës me eksploziv”.

Top Channel