Shkodër, arrestohet një tjetër person për trafikimin e makinave luksoze

19/04/2016 17:35

Policia e Shkodrës ka arrestuar edhe një tjetër person që dyshohet për trafikimin e makinave luksoze, makina që u sekuestruan në Shkodër. Bëhet fjalë për 25-vjeçarin Ridvan Hasaj, nga Kopliku.

Operacioni i koduar me emrin “Lux” bllokoi 19 automjete luksoze si Range Rover, BMW X5 dhe X6 , Audi A6 dhe A8 dhe Benz Mercedes të tipeve të fundit. Njëmbëdhjetë organizatorë dhe bashkëpunues të këtij rrjeti hajdutësh automjetesh u arrestuan.

“Këto mjete, pasi futeshin në Shqipëri, regjistroheshin në Drejtorinë e Transporteve Rrugore. Personat që kanë bërë rregjistrimin e këtyre mjeteve nuk janë drejtues të kësaj veprimtarie kriminale, por janë persona të gjetur enkas prej drejtuesve të rrjetit. Këta persona nuk kanë lidhje as me vjedhjen dhe as me posedimin real të këtyre mjeteve. Ne i intervistuam këta persona, të cilët treguan edhe mekanizmin se si ka funksionuar”, tha Anton Marku, prokuror i çështjes.

“Ky hetim është kryer në bashkëpunim me autoritetet malazeze, rumune, si dhe me Interpolin”, tha Idajet Feskaj, drejtor i hetimit ndaj trafiqeve në DPPSH.

Sipas policisë, mjetet në fjalë janë vjedhur në vendet e rajonit e më gjerë, si Mali i Zi, Bosnjë, Kroaci, Itali e Francë dhe kanë hyrë në Shqipëri me numra shasie të ndryshuara, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitare  te Hanit Hotit. Më pas automjete, pasi bënin zhdoganimin arrinin të pajiseshin me targa të rregullta.

Makinat luksoze ishin shitur në Laç, Sarandë, Tiranë dhe Shkodër. Pjesë të hetimit do të jenë edhe punonjës të doganës dhe policisë kufitare të Hanit të Hotit, nëse ata ishin të përfshirë në rrjet apo jo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA