
Amfiteatri më i madh në vend, e një nga më të rëndësishmit në Ballkan, ende nuk ka marrë vëmendjen e duhur të turistëve vendas e të huaj, ndonëse ndodhet vetëm 36 km larg kryeqytetit, në zemër të qytetit të Durrësit.
“Janë mbi 10 mijë persona që e kanë vizituar në vitin 2015 Amfiteatrin e Durrësit. Por në këto shifra ka si delegacione, edhe të rinj e të reja, nxënës të cilët kanë ardhur pa bileta. Ne po punojmë shumë për promovimin e tij nëpërmjet faqeve tona në rrjetet sociale, sepse janë asete me vlera të veçanta”, tha Ledion Lako, drejtor i Amfiteatrit të Durrësit.
Ndonëse shifra e vizitorëve në dukje është e lartë, shumica e tyre janë nxënës si pasojë e udhëtimeve të organizuara nga shkollat. Për të rritur numrin e vizitorëve dhe të ardhurat, drejtori i monumentit pohon se duhen më shumë aktivitete promovuese.
Ndërkohë, Eda Çekrezi, specialiste e Trashëgimisë Kulturore, shprehet:
“Ky është një nga amfiteatret më të vjetra në rajonin e Ballkanit dhe një nga më të mëdhenjtë. I përket shekullit të II-të të Erës sonë. Është i vetmi i zbuluar deri më sot në Shqipëri dhe bart vlera shumë të rëndësishme që tregojnë kulturën tonë të lashtë ndër shekuj”.
I ndërtuar sipas arkitekturës romake, Amfiteatri i lashtë ka një sërë galerish të nëndheshme, 20 mijë vende në shkallare, një kishë, mozaik e shumë elementë të tjerë me vlerë, secili me nga një histori që ia vlen ta dëgjosh, sa herë viziton këtë bukuri natyrore 2.700-vjeçare.
Top Channel