Pas Emiljano Shullazit, është arrestuar edhe kushëriri i tij, Blerim Shullazi. Edhe për të rëndon akuza e pjesëmarrjes në grupe kriminale, si dhe dyshohet për gjobëvënie në dy raste.
Një ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi arrestimin e Emiljano Shullazit si i dyshuar për “pjesëmarrje në grupe të strukturuara kriminale”.
Burime nga organi i akuzës konfirmuan pas mesnate për Top Channel se arrestimi i Shullazit ka ardhur pas muajve të tërë survejimi nga ana e policisë, të cilat janë finalizuar mbrëmjen e së shtunës.
Tashmë, pas komunikimit të arrestit ndaj Shullazit, dosja hetimore është marrë në administrim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila në fashikujt e saj ka të dokumentuara një sërë përgjimesh të Emiljano Shullazit, por pa dhënë detaje lidhur me përmbajtjen e tyre apo me akuzat konkrete që pritet të ngrihen ndaj tij.
Top Channel