
Policia kufitare në aeroportin e Rinasit ka arrestuar pasditen e kësaj të shtune dy shtetas turq, të cilët kanë rezultuar se udhëtonin me dokumente të falsifikuara.
Sipas një njoftimi për shtyp, në pranga kanë rënë shtetasi turk Recep Cahit Dogan dhe shtetasja Ozden Gur, përkatësisht 65 dhe 33 vjeç, të dy nga Stambolli.
Ndalimi i tyre është bërë pasi me të zbritur në Rinas, ku mbërritën përmes avionit të linjës, gjatë kontrolleve pasaporta e shtetases Ozden Gur ka rezultuar e lëshuar në emër të një shtetaseje tjetër, që përkonte me moshën e saj.
Pas ekzaminimit në laboratorin e aeroportit, faqja e gjeneraliteteve të kësaj pasaporte ka rezultuar e falsifikuar dhe në vijim, 33-vjeçarja Gur dhe Dogan janë shoqëruar në ambjentet e komisariatit të Rinasit.
Gjatë marrjes në pyetje, gruaja ka deklaruar se është në dijeni që pasaporta është e falsifikuar dhe ka shtuar se dokumenti i është dhënë nga një tjetër shtetase turke, të cilën e ka njohur kur ka kryer një dënim me burg në vitin 2010 për vjedhje dhe plagosje.
Gjatë marrjes në pyetje, gruaja ka deklaruar se është në dijeni që pasaporta është e falsifikuar dhe ka shtuar se dokumenti i është dhënë për 3 mijë dollarë nga një tjetër shtetase turke, të cilën e ka njohur kur ka kryer një dënim me burg në vitin 2010 për vjedhje dhe plagosje.
Gjithashtu, 33-vjeçarja turke ka bërë me dije se, me shtetasin Recep Cahit Dogan ka marrëdhënie shoqërore. Ky i fundit, nga ana e tij ka deklaruar se e ka ndihmuar Ozden Gur për të udhëtuar në drejtim të Shqipërisë dhe se kostot e udhëtimit të saj dhe të vetat, si dhe pagesën e qerasë së banesës në Tiranë ku ajo do të qëndronte do t’i mbulonte personalisht ai.
Për 65-vjeçarin është marrë masa e arrestit në flagrancë për veprën penale “ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit, ndërsa për 33-vjeçaren Gur është ngritur akuza e “falsifikimit të pasaportave”. Materialet i kanë kaluar prokurorisë.
Top Channel