Basha prezanton platformën ekonomike në Sarandë

16/04/2016 00:00

Kreu opozitës, Lulzim Basha e vijoi turin  e takimeve me qytetarët e Sarandës.

Banorë: Pensioni më shkon i gjithi për ilaçe dhe drita. I marr ilaçet borxh tek Gëzimi (farmacisti), 70 andej, 70 korrenti. Gjithë pensioni mua më ikën.

Basha: Korrent dhe ilaçe gjithë pensioni?

Banorë: Korrenti dhe ilaçet gjithë pensioni edhe shiringat i blej me lekë. Shiko se çdo hajë burri tashi?! Dy domate kam t’i bëj një sallatë, bën tre herë në ditë antibiotikë.

Basha: Për të gjitha familjet në asistencë ekonomike, familjet me pension invaliditeti, familjet në ndihmë ekonomike, energjinë (deri 200 kë), ilaçet dhe ujin do t’i paguajë shteti.

Banorë: Kam marrë tre herë në telefon bashkinë dhe nuk më është përgjigjur asnjëherë. Çfarë po bëhet? Kanë vënë një kukull në bashki?! Ka mbi një vit që është zgjedhur dhe nuk e njohim se kush është. Rrugë, ujë, drita asgjë më tepër nuk kërkojmë.

Zgjidhjen e këtyre problemeve Basha e shikon të lidhur me taksat.

Basha: Rrugë tjetër, përveç taksave të ulëta për ekonominë shqiptare nuk ka. Rruga tjetër është kjo që po shikoni, po futet në gropë sepse taksat e larta ia marrin paranë nga xhepi konsumatorit, mbyllin biznesin, mbyllin vendet e punës.

Tregtarë: Ne vijmë këtu shesim vetëm aty te dera. Sa dalim një çikë te dera na vjen policia, i themi ne “si ujqërit, si bishë”. Na i merr nga dora, na i hedh poshtë, na ofendon.

Lulzim Basha u prezantoi sarandjotëve platformën ekonomike që ka opozita.

“Do ta bëjmë këtë me taksat më të ulëta në histori, me 9% taksë të sheshtë, 15% TVSH dhe taksat që mblidhen nuk do të shkojnë për palma. Taksat që mblidhen nuk do të shkojnë për Vilma Nushin, për Koço Kokëdhimën, për Ilir Beqajn. Taksat do të kthehen në investime publike dhe investime publike që hapin vende pune, që hapin fronte pune”, tha Basha.

Sipas numrit një të opozitës “çelësi i daljes nga kjo situate janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.

Top Channel