Beteja politike me energjinë, hetim parlamentar privatizimit dhe rishtetëzimit të OSSH

14/04/2016 00:00

Çështja “CEZ” do të hetohet nga dy komisione parlamentare. Pas komisionit të kërkuar nga opozita, i cili do të hetojë marrëveshjen e mirëkuptimit mes qeverisë dhe CEZ, do të ngrihet edhe një komision tjetër, i cili do të hetojë privatizimin e kësaj kompanie nga ish-qeveria e demokratëve.

Kërkesa është e një grupi deputetësh nga Partia Socialiste. Ajo është bazuar mbi një raport auditi të Ministrisë së Energjisë, i cili sipas deputetëve ka gjetur parregullësi të shumta ligjore dhe favorizim të kompanisë CEZ jo vetëm gjatë privatizimit, por edhe në periudhën e mëpasshme.

Sipas auditit që referojnë deputetët e PS, nga viti 2009 deri në vitin 2013, ish-qeveria e demokratëve ka favorizuar CEZ në mënyrë të paligjshme duke i shkaktuar një dëm prej 57.9 miliardë lekë, ose 414 milionë euro për qytetarët shqiptarë.

Kërkesa liston edhe zërat se si është shkaktuar ky dëm, nga favorizimi tek borxhi i keq, tek ulja e çmimit me të cilin KESH i shiste energji CEZ-it. Të gjitha këto do të hetohen nga një komison i posaçëm.

Por këto akuza të socialistëve vijnë pas atyre që opozita artikulon prej kohësh për këtë çështje. Megjithëse sipas saj vjedhja ka ndodhur jo gjatë privatizimit, kur ishte vetë në qeveri, por gjatë rishtetëzimit të CEZ nga qeveria e majtë.

Partia Demokratike thotë se përmes marrëveshjes së mirëkutpimit me CEZ, qeveria u vodhi qytetarëve 600 milionë euro, para të cilat duhet të paguheshin nga kompanie çeke, por që u falën. Për këtë do të ketë një tjetër komision hetimor parlamentar.

Top Channel