Tritoli në farmacinë e babait të Tahirit, pushohet çështja për Gjutën dhe Brukën

13/04/2016 14:00

Prokuroria për Krimet e Rënda ka pushuar çështjen ndaj Vladimir Gjutës dhe Baftjar Brukës, të dyshuarit kryesor për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

“Gjatë zhvillimit të hetimeve janë kryer një sërë veprimesh proceduriale, përfshirë edhe ekspertiza të specializuara në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, në përfundim të të cilave nuk u provua shkencërisht dhe nuk u siguruan fakte që të provonin përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se të arrestuarit ishin organizatorë dhe ekzekutorë të akteve të mësipërme. Krahas faktit që nuk janë arritur të grumbullohen të dhëna konkrete mbi veprimet e të hetuarve për kryerjen e veprave penale, Prokuroria për Krime të Rënda nuk zbuloi motiv se përse këta shtetas mund të kryenin veprat penale për të cilat dyshoheshin”, thuhet në njoftimin zyrtar të prokurorisë.

Ndërkaq, ndaj të hetuarve qëndron masa e sigurisë arrest me burg vendosur nga Gjykata e Kukësit për të tjera vepra penale, që janë në hetim nga ajo prokurori.

Afërsisht një muaj më parë, Gjykata e krimeve të Rënda refuzoi kërkesën e Gjutës për ndryshim të masës së sigurisë, i cili u arrestua qershorine 2015 si anëtar i grupit të tritolit. Mbi Gjutën rëndojnë një mori akuzash, ku më e rënda mbetet ajo e pjesëmarrjes në grupe të strukturuara kriminale.

Edhe Baftjar Bruka ndodhej në arrest me burg, si njëri ndër gjashtë të dyshuarit si të implikuar në vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të Tahirit. Në janar, Bruka u ekstradua nga Stokholmi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA