“Rruga për në BE kalon nga drejtësia”, apeli i PE: Miratoni reformën

13/04/2016 00:00

Parlamenti Europian mbajti seancën ku u diskuta draft rezoluta për Shqipërinë dhe ecuria në procesin e integrimit europian. Kryefjalë e konstatimit të eurodeputetëve ishte reforma në drejtësi dhe bashkëpunimi midis palëve politike.

Komisionieri për Zgjerimin, Johannes Hahn, edhe pse tha se vendi është në rrugën e duhur, theksoi se palët duhet të përfshihen në dialog për të përmbushur 5 prioritetet për çeljen e negociatave të anëtarësimit.

“Veçanërisht mirëpres vlerësimin që kjo rezolutë thekson për sistemin e drejtësisë, i cili jo vetëm do të ndihmojë zbatimin e ligjit në vend, por gjithashtu edhe profesionalizmin në këtë sektor. Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtare për të konsoliduar negociatat. Rezultatet konkrete të reformave duhet t’i garantojnë qytetarëve një shtet demokratik që u ofron mirëqënie, siguri dhe mundësi. Rezoluta thekson se për këtë partitë dhe aktorët politikë duhet të përfshihen në dialog konstruktiv dhe deciziv. Zbatimi i reformës në drejtësi është një arritje për të gjithë vendin dhe është shumë i vlefshëm për të qenë subjekt i njërës apo tjetrës palë politike, ndaj presim dialog nga të dyja partitë”, deklaroi Hahn.

Ndërsa eurodeputeti Eduart Kukan e vuri theksin tek avancimi i procesit të dekriminalizimit dhe në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta. Ai shtoi se reforma në drejtësi është jetike për vendin.

Po ashtu, eurodeputeti tjetër Knut Fleckestein tha se ka ende shumë gjëra për t’u arritur për një sistem gjyqësor të pavarur për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. 

Top Channel