Pezullohen deputetët e sherrit, Berisha shpëton me “vërejtje”

13/04/2016 00:00

Byroja e Kuvendit ka përfunduar punimet e kësaj të mërkure, ku në shqyrtim ishin dy kërkesa për pezullim deputetësh.

Kërkesa e parë ishte ajo e Partisë Demokratike që lidhej me deputetin socialist Erjon Braçe. Demokratët kërkonin pezullimin e tij me 10 ditë.

Socialistët nga ana e tyre kërkuan pezullim poe me 10 ditë për deputetët demokratë Sali Berisha, Edi Paloka, Arben Ristani dhe Roland Keta.

Në përfundim, Byroja ka dalë me një vendim të mesëm duke dënuar me nga 5 ditë pezullim të gjithë protagonistët e zënkës në seancën e së enjtes së shkuar, përveç njërit; Sali Berishës që ja hodhi vetëm me një vërejtje.

Megjithatë, kjo ka shkaktuar pakënaqësi e në radhët e opozitës. Nënkryetarit demokrat të Byrosë, Edmond Spaho tha se me këtë vendim është barazuar “sjellja dhe fjalori fyes i Erjon Braçes me deputetët e tjerë”.

Nga ana e tij, Braçe është shprehur i irrituar pasi sipas tij, “ky vendim fal atë që shan, prish seancat dhe vret”. Sipas Braçes, në Kuvend është instaluar një regjim i dhunshëm.

“Unë nuk jam brenda mazhorancës për të pranuar çdo lloj vendimi. Ky i sotmi është i padrejtë. Berisha nuk ka kurajo të përballet në gjykatë për akuzat që bën. Kam 20 vjet që e duroj të njëjtin fjalor në sallën e Parlamentit”, tha Braçe.

Top Channel