Këshilltarët e PD: Veliaj, një vandal i kryeqytetit që fyen presidentin

13/04/2016 18:55

Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës kanë denoncuar sot “abuzimet e kryetarit të Bashkisë”, Veliaj dhe kanë dënuar “sulmet e ulëta dhe fyerjet e tij” ndaj Presidentit të Republikës.

Këshilltarët e shprehën qëndrimin e tyre në një prononcim për mediat pranë Kullës së Shatit, ku aktualisht, sipas tyre, “po hedh shtat një tjetër abuzim i Veliajt me punimet skandaloze që ai po bën mbi simbolin e qytetit”.

“Jemi sërish me një nga paradokset më të mëdha të qeverisjes vendore. Vijojmë të jemi sërish në shkelje të pastër të zotimit që Veliaj ka marrë parpara qytetarëve, për të qenë administrator i këtij qyteti, por që realisht në këto 8 muaj është shndërruar në masakrues të qytetit, si nga pikëpamja urbane ashtu edhe nga ajo ekonomiko-sociale. Masat shtrënguese që ne kemi paralajmëruar me kohë tashmë kanë tronditur të gjithë biznesin në Tiranë, i cili në vetëvete është 50% e biznesit të të gjithë vendit. Nga ana tjetër, kemi vandalizimin e paparë dhe krimin e rëndë mjedisor që është kryer jo vetëm tek liqeni artificial”, u shpreh Leonard Olli.

Olli dënoi edhe “sulmin e paprinciptë” të Veliajt ndaj presidentit të Republikës, duke e akuzuar më tej atë se, po e kthen bashkinë në vend të pazareve dhe trampolinë për interesat e tij politike.

“Sot, brenda arrogancës dhe guximit për të mashtruar dhe për të vjedhur, Veliaj pati kurajon dhe paturpësinë për të sulmuar figurën e Presidentit të Republikës, në vetëvete simbolin e unitetit kombëtar. Deri këtu ka arritur rilindisti Veliaj, që të mos pyesë më as për funksionin, as për detyrimet që ka, as për keqdrejtimin që po i bën Tiranës në këto në këto 8 muaj, as për krimet mjedisore, as për bandën e klientëve të tij dhe të shefit të tij politik Rama, që po grabit mushkërinë e qytetit dhe për interesat e betonit që janë të gatshëm të shkatërrojnë gjithçka”, tha Olli. 

Top Channel