Drejtësia, Xhafaj: Nesër mblidhet komisioni; PD: Kushti ynë, Kushtetuta

13/04/2016 00:00

Një sondazh në të cilin shqiptarët i japin mbështetje maksimale reformës në drejtësi ka vënë në lëvizje mazhorancën në komisionin e drejtësisë.

Kryetari Fatmir Xhafaj njoftoi publikisht thirrjen e mbledhjes së komisionit, i cili nuk punon prej gati tre javësh. Partia Demokratike e ndërpreu dialogun për reformën duke vënë si kusht zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatet e dy deputetëve.

“Nuk ka nevojë për shumë negociata. Ka nevojë për shumë vendimmarrje. Prandaj të premten në orën 10 do të thirret komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi, për të vazhduar punën atje ku e e ka lënë”, deklaroi Xhafaj.

Por në lojë nuk janë më vetëm mandatet e dy deputetëve. Opozita po e kushtëzon pjesëmarrjen në komision edhe me komisonin hetimor parlamentar për CEZ-in, refuzimin e të cilit demokratët e konsiderojnë si një shkelje flagrante të së drejtës kushtetuese të opozitës për të kontrolluar qeverinë.

“Kushtetuta është i vetmi kusht që ne kemi. Ikja nga një krim kushtetues nuk po e frenon të shkojë drejt një tjetër krimi Kushtetutën, që është ai i mospranimit të komisionit hetimor për CEZ, ku Edi Rama është direkt përgjegjës, është direkt i lidhur. Pra, një çështje korruptive që nxjerr direkt para publikut kryeministrin Rama”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka.

Opozita do të marrë një vendim përfundimtar, në varësi të vendimit të Parlamentit për mandatet e dy deputetëve dhe komisionit hetimor për CEZ-in.

Top Channel