Vrasja për një plep, Prokuroria: Autori nuk është i sëmurë mendor

12/04/2016 00:00

Xhevat Saraçi, autori i vrasjes së një 30-vjeçari për një pemë plepi, nuk vuan nga sëmundje mendore, siç dhe pretendonin banorët e fshatit Luz të Kavajës, ku ndodhi ngjarja.

Prokuroria ka dërguar për gjykim dosjen e Xhevat Saraçit, në akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese dhe armëmbajtjes pa leje. Më 4 janar të këtij viti ai vrau Ismet Xhanin, 30 vjeç, baba i njëfoshnje tre muajshe, si dhe ka tentuar të vrasë Mario Xhani.

Gjatë hetimit, ai i është nënshtruar edhe ekspertizës psikiatriko-ligjore, nga e cila ka rezultuar se nuk vuan nga ndonjë sëmundje e shëndetit mendor. Ditën e krimit ka pasur një konflikt verbal mes tyre, të cilët krahas së qënit fqinj dhe banorë të një lagje, kanë dhe lidhje fisnore mes tyre.

Saraçi u ka kërkuar të mos presin një pemë plepi që ndodhej në tokën e babait të Mario Xhanit. Pas konfliktit verbal, Saraçi ka shkuar në shtëpi dhe ka marrë armën e krimit. Ai ka dashur të qëllojë mbi Marion, por Ismet Xhani ka dalë para për ta mbrojtur, bën të ditur dinamika e prokurorisë. Autori nuk është ndalur po ka vijuar të qëllojë duke e lënë të vdekur në vend 30-vjeçarin.

Top Channel