“Luftë kastravecash” në Maqedoni, zv.ministrat: (S’)kanë nivel të lartë pesticidesh

12/04/2016 00:00

Kastravecët e prodhuar në Lushnje të Shqipërisë janë kthyer në objekt lufte politike në Maqedoni. Prodhimet shqiptare u bllokuan në pikën kufitare të Bllatës pak ditë më parë dhe, sipas zëvendësministrit të Bujqësisë në Shkup, Lupço Nikolovski, nga partia LSDM, kastravecët nga Shqipëria përmbajnë substanca helmuese.

“Analizat që janë marrë nga laboratori shtetëror fitosanitar tregojnë se kastravecët e importuar nga Shqipëria përmbajnë dy fish më shumë pesticide se sa normat e lejuara me ligj, gjegjësisht koncentrik të substancës aktive Metalaxyl, e cila është helmuese”, tha Lupço Nikolovoski, zëvendësministër i Bujqësisë.

Por, zëvendësministri tjetër i Bujqësisë, Vanço Konstadinovski, i zgjedhur nga VMRO-DPMNE thotë tërësisht të kundërtën, duke përgënjeshtruar pohimet e kolegut të tij, se kastravecët nga Shqipëria përmbajnë sasi më të lartë të pesticideve.

Edhe drejtuesja e laboratorit që ka bërë analizat, Suzana Kratovalieva tha se, niveli i pesticideve te kastravecët shqiptarë është shumë më i ulët nga sa është i lejuar me ligj.

“Niveli, në të cilin mund të përcaktohet sasia e pjesës së mbetur të pesticideve, është 0,01 miligramë në 1 kg. Në rastin konkret, në mostrat e sjella nga kabineti i zv.ministrit plotësues, Lupço Nikolovski, është gjetur sasi prej 0,02 miligramë në 1 kg mbetje nga substanca aktive metalaksil, kurse niveli maksimal i lejuar, sipas bazës së të dhënave europiane është 0,5 miligramë në 1 kg”, tha Suzana Kratovalieva, drejtore e Laboratorit shtetëror Fitosanitar.

Top Channel