Viktima me urdhër-mbrojtjeje, gjykata lë në burg bashkëshortin vrasës

08/04/2016 00:00

“Humba kontrollin gjatë konfliktit me bashkëshorten dhe nuk e di sesi e vrava”. Ky ka qenë pohimi i Admir Dervishit, i cili qëlloi me armën e shërbimit nënën e dy fëmijëve, Ida Dervishi.

Prokurori i tha gjykatës gjatë masës së sigurisë se çifti ishte grindur herët në mëngjes në shtëpinë ku ata jetonin me qira duke shtuar se sherri ka nisur gjatë kohës që ata po bëheshin gati për në punë.

Gjyqtarja Etleva Deda vendosi ndaj 29-vjeçarit arrest me burg për veprën “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” që parashikon burgim nga 35 vjet deri në të përjetshëm.

Çifti, prindër të dy fëmijëve, më i vogli i tyre tetë muajsh, është bërë i njohur në lagje pas krimit. Fqinja e tyre tregon për Top Channel.

“Dëgjuam të shtëna dhe kujtuam se ishin kapsolla. Pastaj vjen nusja e më thotë se është shtrirë dikush në korridor. Ne nuk i njihnim”, thotë ajo.

Por ndërsa dera e familjes Dervishi është mbyllur përgjithmonë, dera e nënës së Idës është hapur për pritjen e mortit. Jashtë kamerave, familjarët e 28-vjeçares shprehen se shteti duhet ta kishte parandaluar këtë ngjarje, pasi autori ishte punonjës i Gardës dhe ai i kërcënonte edhe kur viktima kishte urdhër-mbrojtjeje.
“Ida ishte shumë e frikësuar. Iku një kohë nga i shoqi pastaj u kthye prapë”, thotë ajo.

Vrasja e Idës ishte paralajmëruar prej saj tre vite më parë. Në dëshminë e dhënë gjatë kërkesës për urdhër-mbrojtjeje Ida shprehet për bashkëshortin se e ka kërcënuar me pistoletë se do ta vrasë. Por megjithëse kishte siguruar urdhër-mbrojtjeje nga maji 2013 deri në maj 2014, Ida e kishte falur bashkëshortin dhe pasi është rikthyer me të ka lindur edhe fëmijën e dytë.

 

Top Channel