Kompania lobuese e qeverisë “Berisha”, edhe “Podesta” del në “Panama”

08/04/2016 01:15

Në arkivën e 11 milionë dokumenteve të “Panama Papers”, rezulton edhe një tjetër emër i njohur për Shqipërinë, ai i kompanisë “Podesta Group”. Kompania e lobimit, njihet si një lojtare e rëndësishme në Shtetet e Bashkuara.

Përveçse qarqeve të lobimit, kompania e themeluar nga vëllezërit John dhe Tony Podesta, ka lidhje të forta me kampin demokrat dhe aktualisht është pjesë e ekipit të fushatës së Hillary Clinton.

Sipas mediave ndërkombëtare, “Podesta Group” është e implikuar me fonde “offshore” që u përkasin kompanive ruse të cilat ndodhen nën tutelën e sanksioneve të Amerikës dhe BE-së.

Më saktësisht bëhet fjalë për “Sberbank”, kompania ruse e shërbimit financiar me seli qendrore në Moskë, por që operon në disa vende europiane dhe post-sovjetike.

Mësohet se kompania e cila në vetvete ka lidhje të forta me Kremlinin, kishte lidhur marrëveshje me “Podesta Group” për përmirësimin e imazhit të saj dhe veçanërisht bashkëpunonte me “Podesta” , për të ulur dozën e sanksioneve që kanë shkaktuar një goditje të madhe në sektorin financiar të Rusisë.

Madje sikurse pretendon një projekt për krimin e organizuar dhe korrupsionin, “Sberbank” dhe “Troika Dialog”, janë përdorur nga Putin apo aleatët e tij për të tjetërsuar fondet publike në investime private.

Madje flitet se në dokumentet e “Mossack Fonsekes” njëra prej kompanive të lidhura me “Sberbank”-un, “Avto Holdings”, mbajnë vulën e Sergei Roldugin, jo vetëm një aleat i mirë i shefit të Kremlinit, por njëkohësisht edhe kumbari i vajzës së Putinit. Por, të dyja këto kompani refuzuan të komentonin.

“Podesta Group”, kompania e lobimit në Shtetet e Bashkuara, u kontraktua nga qeveria “Berisha” disa herë gjatë qeverisjes se 8 viteve të demokratëve për përmirësimin e imazhit të saj ndërkombëtar. Madje në momente të caktuara “Podesta” është përfshirë nga palët edhe në debatet e brendshme, para dhe pas zgjedhore në Shqipëri.

Ndërkohë, në mars të këtij viti, Partia Demokratike, tashmë në opozitë, ka nënshkruar një tjetër marrëveshje bashkëpunimi me “Podesta” dhe kjo u mësua pak para vizitës së Bashës në Shtetet e Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA