Integrimi, Gjosha mbledh Komitetin e Koordinimit: Sa më shpejt implementimi i detyrave

08/04/2016 20:25

Ministrja e Integrimi Europian, Klajda Gjosha mblodhi këtë të premte Komitetin e Koordinimit Ndërinstitucional për Integrimin Europian, KKNIE.

Në fokus të këtij takimi ishte hartimi i kontributit të parë të Shqipërisë për Komisionin Europian për vitin 2016, si dhe për të diskutuar rreth zbatimit të Planit Kombëtar të Integrimit Europian.

Ministrja Gjosha kërkoi angazhim maksimal nga institucionet për të përmbushur afatet dhe masat e kërkuara. Gjithashtu, ajo informoi se në kuadër të hartimit të raportit për Shqipërinë, Komisioni Europian ka kërkuar nga qeveria hartimin dhe dërgimin e kontributit të saj të parë për këtë dokument, që flet për përparimin dhe arritjet e institucioneve publike shqiptare në procesin e integrimit.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu edhe për metodologjinë e re që do të përdoret. Këtë herë, përveç kapitujve të cilët Komisioni i quan “themelet e procesit të zgjerimit”, metodologjia e re do të shtrihet veçanërisht në fushat që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, siç janë: lëvizja e lirë e mallrave, politikat e konkurrencës, politikat e transportit, energjia dhe mjedisi.

Të gjitha ministritë dhe institucionet koordinuese duhet të organizojnë hartimin, plotësimin dhe konfirmimin e informacionit për kapitullin që mbulojnë. Ministria e Integrimit do të kryejë më pas kontrollin përfundimtar, konkretisht cilësinë e raportimit, formatimin dhe paraqitjen e tij përpara shërbimeve të Komisionit Europian.

“Edhe një herë sjell në vëmendjen tuaj rëndësinë e këtij kontributi. Ju rikujtoj se përgatitja dhe paraqitja e një informacioni të plotë dhe të saktë mbi arritjet në Shqipëri është një detyrim si pjesë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Ministrja Gjosha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA