Referendumi për paktin BE-Ukrainë, Holanda i thotë “Jo”. Shqetësim në Bruksel

07/04/2016 00:00

Votuesit në Holandë refuzuan me anë të një referendumi, marrëveshjen e partneritet të BE-së për të eliminuar barrierat tregtare me Ukrainën. Pjesëmarrja në votime ishte e ulët, vetëm 32%, por mbi limitin prej 30%, që e bën atë të vlefshëm.

Pakti europian me Ukrainën u refuzua nga holandezët me 61% të votave. Kryeministri i Holandës Mark Rute, i cili bëri fushatë në mbështetje të paktit tha se, qeverisë mund t’i duhet ta rishikojë këtë marrëveshje, megjithëse referendumi nuk ka fuqi detyruese.

Ndërkohë, Presidenti i Ukrainës tha se, pavarësisht këtij rezultati, vendi i tij do të vazhdojë rrugën drejt BE-së. Zyrtarë ukrainas shprehën zhgënjimin e tyre me votën në Holandë dhe thanë se, euroskeptikët holandezë nuk mund të mbajnë peng Ukrainën, vetëm sepse janë të pakënaqur me Bashkimin Europian.

Referendumi në Holandë konsiderohej gjerësisht si një “matje pulsi” e ndjesisë së holandezëve për unionin dhe rezultati është mjaft i qartë. Vota “Jo” në referendum krijon dhimbje serioze koke për qeverinë holandeze, e cila pavarësisht se mbështet paktin e BE-së me Ukrainën, nuk mund të injorojë zërin e popullit, duke qenë se zgjedhjet e përgjithshme janë më pak se një vit larg.

Për më tepër, mesazhi i Holandës krijon nervozitet edhe mes udhëheqësve europianë, që po luftojnë fort të ruajnë unitetin përballë paqëndrueshmërisë ekonomike dhe krizës së emigrantëve.

Referendumi në Holandë konsiderohej edhe si njëfarë “nxehmjeje” për referendumin e qershorit në Britani, ku do të vendoset nëse vendi do të qëndrojë si pjesë e Bashkimit Europian, apo jo. Holanda ishte vendi i vetëm i BE-së, që iu dha mundësinë qytetarëve të tij të shpreheshin për paktin me Ukrainën, ndaj dhe euroskeptikët po e përdorin votën kundër, për të thënë se kur populli e ka mundësinë i thotë jo Bashkimit Europian.

Më herët, Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker tha se, referendumi holandez është i rëndësishëm dhe vota “Jo” mund të shkaktojë një krizë më të madhe në bllokun 28-anëtarësh. Edhe më radikal ka qenë politikani i njohur holandez, Gret Vilders, kreu i partisë së Lirisë, që është antieuropian dhe antiislamik, i cili tha se rezultati i referendumit është fillimi i fundit për Bashkimin Europian.

Top Channel