Maqedoni, Zaev paralajmëron front të gjerë kundër Gruevskit

07/04/2016 00:00

Pas vendimit për të bojkotuar zgjedhjet e 5 qershorit, partia opozitare LSDM paralajmëroi këtë të enjte formimin e një fronti të gjerë për të rikthyer demokracinë dhe lirinë në vend.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev tha se, në Maqedoni nuk ka kushte minimale për zgjedhje korrekte, ndërsa për krizën politike, përveç Nikola Gruevskit fajësoi edhe partinë shqiptare BDI.

“Duhet ta kthejmë demokracinë e të sjellim lirinë bashkë me qytetarët, sepse kjo rrugë tani nuk është zgjedhje personale, por është çështje që ka të bëjë me ardhmërinë e vendit. Maqedonia demokratike nuk pranon zgjedhje të manipuluara”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Por, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski thotë se, kushtet për zgjedhje demokratike janë përmbushur. Ai ftoi opozitën të marrë pjesë në votime më 5 qershor, për t’i dhënë fund krizës politike.

“Mjaft! Kjo krizë duhet të përfundojë. Pas kësaj krize nuk qëndron dikush që angazhohet për liri apo demokraci, por qëndron një opozitë e frikësuar, e frustruar dhe që ka për qëllim të marrë pushtetin me dhunë”, tha Nikola Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Përveç Gruevskit, edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti vlerëson se, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen më 5 qershor.

Top Channel