Konflikti për Nagorni-Karabakun, Rusia vetëshpallet “ndërmjetësuese”

07/04/2016 00:00

Rusia ka bërë të ditur “vetëshpalljen” gjatë kësaj të enjteje si aktori kyç në ndërmjetësimin e një zgjidhjeje për konfliktin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, një rol që shpreson se do të forcojë ndikimin e saj në një rajon, ku Moska garon për influencë me Uashingtonin.

Dhjetëra ushtarakë mbetën të vdekur gjatë kësaj jave, përgjatë 4 ditëve shkëmbimzjarri mes ushtrisë azere dhe separatistëve të mbështetur nga Armenia, në rajonin e shkëputur të Nagorni-Karabakut, duke shtuar frikën e një lufte të drejtpërdrejtë.

Një armëpushim është arritur të martën në një takim prapa skene të zhvilluar në Moskë mes përfaqësuesve të të dyja palëve ndërluftuese. Gjatë vizitës së tij në kryeqytetin azer Baku, ditën e enjtë, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov theksoi rolin special të Moskës si ndërmjetëse.

“Përtej çdo dyshimi, ne jemi të interesuar ndoshta më shumë se partnerët e tjerë të huaj të këtyre dy vendeve, për zgjidhjen sa më shpejt të jetë e mundur të këtij konflikti”, tha Lavrov pas takimit me homologun e tij azer.

Lavrov nënvizoi se, Presidenti rus Vladimir Putin ka folur me udhëheqësit armen dhe azer, për t’i nxitur ata drejt një dhënieje fund të konfliktit, teksa njoftoi se edhe kryeministri rus Dmitry Medvedev do të udhëtonte drejt Armenisë të enjten, e më pas në Azerbajxhan të premten.

“U përpoqëm të asistojmë miqtë tanë të ngushtë në arritjen e marrëveshjes, që shpresojmë se do të respektohet dhe do të implementohet”, tha Lavrov, duke iu referuar marrëveshjes për armëpushim.

Rajoni i Nagorni-Karabakut është një enklavë malore brenda kufijve të Azerbajxhanit, e populluar kryesisht nga armënë etnikë, të cilët refuzojnë regjimin azer. Me mbështetjen e Armenisë, ata luftuan gjatë fillimviteve 1990 për të shpallur “de facto” kontrollin mbi terroritorin në fjalë. Luftimet e kësaj jave kanë qenë më intensivet që prej armëpushimit të vitit 1994, që ndaloi konfliktin por nuk i dha zgjidhje mosmarrëveshjes kryesore.

Top Channel