Masakra e Kozares, familja Mara: Autori nuk është djali ynë

06/04/2016 00:00

Dita ka nisur me shpresë për familjen e Shefqet Marës, kryefamiljarit nga Kozara e Kuçovës, të cilit i ndryshoi përgjithmonë jeta në vitin 2006, kur i vranë djalin, bashkëshorten shtatzënë të tij dhe djalin e tyre 2 vjeç.

Lajmi që Gjykata Kushtetuese ka rikthyer për së dyti herën çështjen për rigjykim në favor të Luan Marës, djalit tjetër të familjes që akuzohet për atë që njihet si masakra e Kozarës,  i ka ringjallur. Prej dhjetë vitesh, Luan Mara vuan dënimin e përjetshëm. Për të atin, ai është i pafajshëm.

“Unë e kam deklaruar në gjykatë se nuk është Luani vrasësi, pasi nëse do të ishte ai, unë do ta kisha vrarë vetë. Në gjykatë unë e kam thënë edhe me emër se kush është vrasësi. Këtë masakër nuk e ka kryer një njeri i vetëm. Prokuroria e Beratit i ka fshur provat”, shprehet babai i Luanit.

Por, katër të vrarët nuk ishin masakra e vetme ndaj familjes së tij. “Unë kam humbur 7 njerëz në atë masakër. Një vrasje ma bënë kriminelët dhe një vrasje ma kënë bërë gjyqtarët e Beratit”, thotë Shefqet Mara.

Iliri ishte i pari nga familja që pa skenën e tmerrshme të asaj mbrëmjeje. Pikërisht për këtë arsye, ai këmbëngul aq fort tek drejtësia.

“Durimi po na soset, nëse nuk ka drejtësi në Shqipëri, atëherë do ta çojmë çështjen më tej. Ne mund të bejmë edhe vetgjyqësi. Unë do të marrë hakun e vëllait”, thotë Iliri.

Bajame Mara e viziton çdo ditë shtëpinë e djalit që humbi dhjetë vite më parë.

“Këtu më duket sikur lehtësohem. Sa afrohem të porta filloj të qarat dhe më duket se më lehtësohet dhimbja”, shprehet Bajame Mara.

Dhjetë vite më parë, mbrëmjen e 9 shkurtit 2006, Shpëtim Mara dhe bashkëshortja e tij Florija, 4 muajshe shtatzënë si dhe djali i tyre 2-vjeçar u masakruan me një breshëri plumbash. Tetë muaj më pas policia arrestoi si autor të ngjarjes Luan Marën. Por, pavarësisht kësaj, familjarët e tij pretendojnë që nuk është ai fajtori, dhe se fajtorët e vërtetë janë ende të lirë…

Top Channel