
Një operacion masiv antidroge është zhvilluar në disa qytete italiane, teksa janë arrestuar 13 persona, mes të cilëve shqiptarë, italianë dhe rumunë, ndërkohë që 4 të tjerë kanë përfunduar në kërkim ndërkombëtar. Organizata garantonte trafikimin e drogës në Olbia gjatë dimrit dhe në Costa Smeralda gjatë verës.
Nga hetimet janë individualizuar 23 persona të përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, që zhvillohej mes Shqipërisë, Italisë dhe Holandës. Hetimet kanë nisur prej verës së vitit 2013, e prej atëherë janë sekuestruar 18 kg kokainë, 4 kg heroinë dhe 1 kg marijuanë, të gjitha me një vlerë prej 2 milionë eurosh.
Forca të shumta karabinierësh janë përfshirë në këtë operacion të zhvilluar në provincat e Sassarit, Nuoros, Pistoias, Brescias, Pordenones, Romës, Bergamos dhe Venecias. Gjatë zhvillimeve të fundit është sekuestruar edhe një pistoletë “Beretta” e kalibrit 6,35 që rezultonte e vjedhur, rreth 30 mijë euro dhe disa autovetura të cilindratave të mëdha.
Ndërkohë, një tjetër goditje ka kundër trafikut të drogës është kryer edhe në veri, ku janë arrestuar 15 persona. Banda vepronte kryesisht në Lombardi, Liguria, Veneto, Emilia Romagna dhe Umbria.
Gjatë operacionit janë zbuluar edhe 3 laboratorë droge, të cilët ishin ngritur brenda disa apartamenteve në provinca të Bergamos, Padovas dhe Barit. Më konkretisht në Romando di Lombardia (Bergamo), Padova dhe Corato (Bari).
Hetimet, të koordinuara nga prokuroria e Bergamos, janë nisur prej vitit 2014 dhe kanë zgjatur më shumë sesa një vit. Krerët e lartë të organizatës kriminale janë zbuluar në provincën veriore të Italisë.
Ndërkaq, gjatë operacionit janë sekuestruar mbi 100 kg drogë, përfshi kokainë, heroinë dhe marijuanë. Droga importohej në Itali me automjete të pajisura me fund të dyfishtë, nga trafikantë që vinin prej Holandës dhe Shqipërisë.
Gjatë hetimeve është zbuluar një sistem kompleks kodesh alfanumerikë bazuar mbi shifra të vjetra antike, me anë të të cilave anëtarët e bandës komunikonin mes tyre dhe dërgonin urdhrat e drogës nga jashtë.
Pronat e luajtshme dhe të paluajtshme të cilat janë vënë nën sekuestro preventive kanë një vlerë prej rreth gjysmë milioni eurosh, të siguruara nga aktivitete të paligjshme, ndërkohë që janë dhënë plot 40 urdhra për kontrolle shtëpiake dhe personale, të zhvilluara gjatë hetimeve.
Top Channel