AI: Rritje shqetësuese e ekzekutimeve në vitin 2015

06/04/2016 08:15

Viti 2015 shënoi një rritje të madhe ekzekutimesh në botë në shifra që nuk arriheshin që prej vitit 1989. Kështu bën me dije organizata “Amnesty International”, sipas së cilës në vitin 2015 u ekzekutuan 1634 njerëz, një rritje me 50% nga viti 2014.

Në raportin e organizatës shkruhet se Irani, Pakistani dhe Arabia Saudite janë përgjegjëse për 89% të ekzekutimeve të vitit. Në studimin e “Amnesty International” nuk përfshihet Kina, ku besohet se janë ekzekutuar me mijëra njerëz, por ky vend i mban sekrete këto shifra. Sipas këtij organizmi, Kina mbetet ekzekutuesi më i madh në botë dhe ka raporte të pakonfirmuara që veç mijëra të ekzekutuarve, me mijëra të tjerë janë dënuar me vdekje në vitin 2015. “AI” shton se ka shenja që numri i ekzekutimeve në Kinë është ulur disi vitet e fundit, por sekreti që rrethon dënimin kapital në këtë vend e bën të pamundur që kjo të konfirmohet me siguri.

Në vitin 2015, Irani ekzekutoi 977 njerëz, kryesisht për krime në lidhje me drogën. Në Pakistan u ekzekutuan 326 njerëz gjatë vitit 2015, ndërsa “AI” akuzon këtë vend se kryen një fushatë vrasjesh të sanksionuara nga shteti, pas anulimit të moratoriumit mbi ekzekutimet e civilëve. Arabia Saudite ekzekutoi 158 njerëz, pjesën më të madhe me prerje koke. SHBA kreu 28 ekzekutime në vitin 2015, numri më i ulët që prej vitit 1991.

Sipas “Amnesty International”, qeveritë në botë në 2015 vazhduan që t’i mohojnë njerëzve jetën, me premtimin e rremë se dënimi me vdekje na bën më të sigurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA