Në “Panama” edhe komisioneri i BE, bashkëshortja kontrollonte një kompani

05/04/2016 13:30

Një prej emrave në miliona dokumentet e firmës panameze të bëra publike një ditë më parë është ai i bashkëshortes së komisionerit Europian të Energjisë, Miguel Arias Canete.

Micaela Solis-Beaumont, trashëgimtare e një familjeje të pasur, ka pasur që prej 2005-s të drejtën e nënshkrimit për “Rinconado Investment Group”, një firmë fiktive në Panama.

Edhe pse nuk ka prova që çifti Canete të ketë kryer veprime të paligjshme biznesi apo evazion fiskal, për imazhin e Komisionit Europian dhe standardet e larta të moralit që diktohen aty, një zhvillim i tillë nuk është pozitiv.

Canete vetë justifikohet duket thënë se firma në Panama ku bën pjesë edhe gruaja e tij nuk është aktive prej vitesh, pra në parim nuk ka pasur konflikt interesi që do ta pengonin në detyrën e vetë.

KE-ja e ka shpallur prioritet të saj luftën kundër fshehjes së taksave dhe evazionit në të ashtuquajturat parajsa fiskale.

Një komision i krahut ekzekutiv të bllokut po heton nëse presidenti i tij, Jean-Claude Juncker gjatë kohës si kryeministër i Luksemburgut, përmes modeleve të mënjanimit të taksave e ka shndërruar këtë vend në një parajsë fiskale për shumë koncerne të mëdha. Juncker i hedh poshtë akuzat e ngritura para dy vjetësh.

Në Luksemburg ka tatime shumë të ulëta për fitimet që rrjedhin nga vende të tjera të botës. Një praktikë e tillë, e njohur edhe në vende të tjera si Irlanda apo Hollanda, do duhet të reduktohet me një ligj të ri të BE-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA