
“Disa do të përpiqen ta minimizojnë, të përgënjeshtrojnë apo të thonë se bëhet fjalë për një keqkuptim apo konspiracion të madh. Por e vërteta është se publikimi i dosjes së Panamasë është diçka vërtet e madhe”, thotë analistja e CNN, Frida Ghitis.
Gjithçka filloi më shumë se një vit më parë, kur dikush kontaktoi me gazetën gjermane “Suddeutsche Zeitung”, duke i ofruar një mal me të dhëna për një kompani panameze të quajtur “Mossack Fonseca”, e cila sipas pretendimeve është e specializuar për të ndihmuar të pasurit, të fuqishmit dhe të dyshuarit të fshehin paratë e tyre.
“Ky është një tërmet i vërtetë. Lëkundjet do të vazhdojnë për muaj, madje edhe vite. Mund të jetë gjithashtu fillimi i fundit të sekreteve”, thotë analistja.
Interneti do t’u mundësojë njerëzve të kërkojnë informacionet që mund t’i prekin ata në mënyrë specifike. Nuk ka dyshim, njerëzit e fuqishëm janë mbuluar tani nga djersë të ftohta. Edhe pse një emër në dosjen e Panamasë nuk mjafton për të provuar shkelje të mundshme, ky ortek informacionesh më shumë gjasa do të rezultojë me pasoja dhe do të konfirmojë shumë dyshime që ekzistonin.
“Nëse pretendimet do të konfirmohen, ato do të sjellin ndryshime të mëdha”, pretendon Ghitis që përmend rastin e Wikiliks, zbulimet e së cilës ndihmuan në rrëzimin e diktatorit në Tunizi.
Qasjen më të madhe të njerëzve ndaj informacionit, për analisten e CNN, është një prej trendeve më pozitive të kohëve të sotme që do të ndihmojë në çrrënjosjen e korrupsionit. Popujt kanë rrëzuar qeveri dhe publikimi i dokumenteve të Panamasë, shënon një hap të madh në këtë trend.
Eksperti për korrupsionin, Robert Palmer, deklaron se informacionet kishin zbuluar një marrëveshje të padrejtë për të pasurit dhe të pushtetshmit, e megjithatë kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se skemat ishin të paligjshme.
Sipas tij, secili rast duhet të hetohet.
Por, avokati dhe specialisti i taksave, Jolyon Maugham, nuk ka dyshime për përfshirjen e elementëve të kriminalitetit. Ai pohon se Panamaja nuk do të ishte një zgjedhje e natyrshme si parajsë fiskale, po të mos ishte për ligjet e saj të fshehtësisë, që sjellin avantazhe të mëdha për personat e përfshirë në evazion.
Top Channel