Studioja ligjore panameze në zemër të rrjedhjes më të madhe të të dhënave në botën e financës ka mbajtur klientë që ishin subjekte të sanksioneve ndërkombëtare.
Zbardhja e dokumenteve të “Mossack Fonseca” vazhdon dhe më të fundit tregojnë se firma kishte bashkëpunuar me 33 individë apo kompani të vendosura nën sanksione nga Thesari Amerikan, përfshirë këtu kompani me seli në Iran, Zimbabve dhe Korenë e Veriut. Njëra prej tyre duket të kishte lidhje me programin bërthamor të Penianit.
“Mossack Fonseca” i regjistronte kompanitë si enitete “offshore” të cilat operonin nën emrin e saj dhe kjo do të thotë se identetet e pronarëve të vërtetë është e vështirë të gjurmohen pasi nuk janë kaluar në dokumentet publike.
Disa prej bizneseve ishin regjistruar përpara vendosjes së sanksioneve ndërkombëtare. Por në disa raste, “Mossack Fonseca” ka vazhduar të veprojë si palë e tretë edhe pas vendosjes së tyre në listat e zeza.
Një ndër këto biznese ishte “DCB Finance”, i themeluar në 2006 me pronarë zyrtarin koreano-verior Kim Chol Samdhe dhe Nigel Cowie, një bankier britanik që ishte dhe drejtor i përgjithshëm i bankës së sanksionuar “Daedong Credit Bank”.
Sipas “The Guardian”, Cowie, i cili ka jetuar prej dy dekadash në vendin komunist, është krijuesi i një kompanie të fshehtë financiare offshore, të përdorur nga regjimi i Penianit për të ndihmuar në shitjen e armëve dhe zgjerimin e programit të tij bërthamor.
Një rast tjetër përfshin kushëririn e presidentit sirian Bashar al Assad, Rami Makhlouf, pasuria e të cilit llogaritet në gati 5 miliardë dollarë. Dokumente tregojnë ndër të tjera se dega zvicerane e bankës HSBC i ka ofruar shërbime financiare “Mossack Fonseca-s”.
“Corriere della Sera” njofton sakaq se në mesin e subjekteve italiane që mund të kenë pasur raporte me firmën në fjale është një shoqëri që i ofronte sisteme elektronike ushtarake Indisë, si dhe ekipi milanez i futbollit, Inter.
Nga ato që janë publikuar deri më tani janë të paktën 22 individë që kanë përfituar nga shërbimet e kësaj kompanie, pavarësisht se ndodheshin nën sanksionet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Në listë janë emra si Rober Mugabe, presidenti i Zimbabves, Kim Jong-un i Koresë së Veriut e deri tek Mahmoud Ahmadinejad i Iranit.
E pyetur nga “The Guardian” për këtë listë, kompania me zyra qendrore në Panama i mohoi.
“Nuk kemi lejuar asnjëherë me vetëdije përdorimin e kompanive dhe shërbimeve tona për individë që kanë qenë subjekt i sanksioneve ndërkombëare, për individë që kanë lidhje me Korenë e Veriut, Sirinë, Zimbabven apo vende apo individë që janë subjekt i sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Sapo të tilla raste zbulohen, ne shkëpusim bashkëpunimin me këta individë apo kompani”, thotë kompania.
Top Channel