Hetim shqiptar për “Panamanë”. Verifikohen hyrje-daljet e Ismail Mulletit dhe Assaf Halkin

05/04/2016 19:35

Shpërthimi i skandalit të pastrimit të parave të korrupsionit dhe fshehjes së taksave përmes kompanive të regjistruara në parajsat fiskale, duket se ka vënë në lëvizje prokurorinë dhe policinë shqiptare.

Burime jozyrtare nga organi i hetimit të kryeqytetit bëjnë të ditur jo zyrtarisht se njësia “task force” që heton edhe veprën e pastrimit të parave ka nisur menjëherë verifikimet lidhur me emrin e parë që ka dalë në Shqipëri si i lidhur me skandalin “Panama Papers”.

Ajo është kompania e ngjyrosjes së karburanteve “GFI Technologies”. Në këtë çështje sqarohet se është përfshirë si strukturë që heton krimet financiare edhe drejtoria e parandalimit të pastrimit të parave dhe sektori kundër krimit ekonomik pranë Policisë së Shtetit.

Prokurorët janë urdhëruar të ndjekin publikimin në vazhdim të të dhënave nga konsorciumi i gazetarëve ndërkombëtarë që disponon 11 milionë dokumentet e kompanisë ligjore panameze “Mosak Fonseka”, e cila bënte regjistrimin e kompanive “offshore” nga e gjithë bota.

Zyra e shtypit e Prokurorit të Përgjithshëm, tha për Top Channel se prokuroria po bashkëpunon me institucione të tjera ligjzbatuese për të qartësuar situatën mbi përfshirjen e mundshme në çështjen “Panama Papers” të kompanive ose shtetasve shqiptarë apo të huaj që operojnë në tregun financiar shqiptar.

Ndërsa “Zëri i Amerikës”, duke cituar një burim policor, shkruan se “policia shqiptare ka verifikuar hyrje-daljet nga Shqipëria të Ismail Mulletit dhe izraelitit Assaf Halkin. Mulleti rezulton që të ketë dalë nga vendi pak javë më parë, në mars, ndërsa Halkin në muajin shkurt. Ata që të dy kanë realizuar shumë udhëtime nga dhe drejt Shqipërisë, shpesh dhe me avionë charter”.

Një angazhim i ngjashëm i autoriteteve të drejtësisë ndodhi edhe përgjatë vitit 2011, në rastin e Wikileaks, kur u publikuan kabllogramët e Ambasadës Amerikane për mjaft çështje sensitive në atë kohë, si Damir Fazliç, rruga Durrës-Kukës apo Gërdeci.

Në atë kohë, Prokuroria e Përgjithshme tha që kishte caktuar një grup përkthyesish që do të monitoronin e grumbullonin të dhënat për Shqipërinë, megjithëse menjëherë pas këtij versioni, çështja u la në harresë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA