Armeni-Azerbajxhan, lufta rrezikon projektet energjitike

05/04/2016 12:00

Armenia paralajmëroi të hënën se përshkallëzimi i dhunës në rajonin Nagorno-Karabakh rrezikon të çojë në një luftë frontale me Azerbajxhanin.

Deklarata u bë nga presidenti vendas pas tri ditësh luftime mes ushtrisë azere dhe separatistëve armenë të mbështetur nga Jerevani.

Dy vendet, ish-republika sovjetike u përfshinë në një luftë në fillim të viteve ’90 në këtë rajon, ku mijëra vetë gjetën vdekjen. Në vitin 1994 u vendos një armëpushim i brishtë, që u shkel herë pas here nga të dyja palët, por asnjëherë në shkallën e raportuar këtë fundjavë.

Thirrjet e komunitetit ndërkombëtar dhe të negociatorëve kanë rënë në vesh të shurdhër dhe si azerët ashtu edhe separatistët e mbështetur nga Armenia fajësojnë palën tjetër për shkelje të armëpushimit.

Azerbajxhani njoftoi vdekjen e 3 ushtarëve, ndërsa udhëheqësit e separatistëve për 4 të vdekur në radhët e tyre.

“Një përshkallëzim i mëtejshëm i operacioneve ushtarake mund të na çojë drejt një rruge të paparashikuar me pasoja, deri në një luftë frontale”, u shpreh presidenti armen, Serzh Sarksyan në një takim me ambasadorët e huaj në Jerevan.

Veç pasojave njerëzore, lufta e mundshme tremb edhe investitorët. Rajoni, përveçse një prodhues, është edhe një kryqëzim i rëndësishëm i rrugëve të gëzit dhe naftës dhe në konflikt mund të përfshihen edhe fuqitë rajonale, Rusia dhe Turqia.

Ankaraja mbështet Azerbajxhanin, ndërsa Rusia Armeninë. Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov kritikoi reagimin e Ankarasë për rindezjen e konfliktit duke e cilësuar atë si të njëanshme dhe që mbështeste azerët.

Nagorno Karabakh është një rajona malor, enklave armene brenda territorit të Azerbajxhanit. Armenët në këtë rajon janë maxhorancë dhe që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik kanë luftuar kundër Azerbajxhanit duke mos pranuar që të jenë pjesë e këtij shteti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA