Rama: PD nuk do reformën; u trembet vjedhjeve kur qeveriste

04/04/2016 15:40

Kryeministri Edi Rama nga mbledhja e përjavëshme e grupit parlamentar socialist është ndalur gjatë në reformën në drejtësi dhe kërkesën e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore.

Një burim nga mbledhja i tha Top Channel se Rama e quajti sjelljen me opozitën si tejet luajale për dekriminalizimin dhe se kjo s’ka më kuptim; “shto miell e shto ujë”.

Rama ka lënë të kuptohet se dekriminalizimi, përfshi kërkesën për komisionet hetimore, tashmë janë një histori e mbyllur.

Për reformën në drejtësi Rama citohet të ketë deklaruar se “opozita po e tregon qartë se nuk e do këtë reformë dhe vetëm sa nuk është duke e thënë me zë një gjë të tillë”.

“Po gjen gjithfarë sebepesh duke vendosur kushte për të mos ta votuar. Nuk e duan reformën se kanë hallin e zullumeve gjatë qeversisjes së tyre”, citohet Rama.

Kryesocialisti është ndalur edhe në referendumin e 9 prillit, duke e quajtur një proces të rëndësishëm dhe demokratik për PS.

“Krahas anëtarësisë së vjetër është me rëndësi që më të rinjtë në PS të votojnë duke dëshmuar një pjesëmarrje të lartë”, është shprehur ai.

Top Channel