Komisionet hetimore, rrëzohet kërkesa e PD, PS: Sebepe kundër reformës

04/04/2016 15:55

Mazhoranca e rrëzoi nismën e opozitës që ndryshonte ligjin për komisionet hetimore duke i dhënë mundësi pakicës të zhvillojë mbledhjet pa praninë e shumicës së anëtarëve.

Ky ishte një nga kushtet e opozitës për rikthimin e normalitetit parlamentar.

“Heqjen e mundësisë për maxhorancën e sotme dhe asaj të nesërme që të bllokojë kontrollin e opozitës”, tha deputeti demokrat, Eduard Halimi.

Mazhoranca e cilësoi antikushtetues propozimin e opozitës dhe sheh tek kjo nismë një qëllim tjetër të demokratëve, të cilët thonë se nisma e tyre është pjesë e marrëveshjes së pazbatuar të dhjetorit 2014.

“Rezoluta dhe marrëveshja e dhjetorit 2014 të vazhdojë të jetë laboratori i prodhimit të sebepeve dhe kleçkave ligjore antikushtetuese për t’iu shmangur reformës në drejtësi. Është shumë e thjeshtë”, u shpreh deputeti socialist, Ulsi Manja.

Kjo është mbledhja e parë që opozita merr pjesë pas disa javëve bojkot, por është edhe hera e parë pas protestës tek Liqeni, që deputeti Gent Strazimiri u përball me dy prej anëtarëve socialistë të Komisionit të Ligjeve për mbajtje të pistoletës në protestë.

“Nuk do t’i bindemi opozitës që pistoleta të shfaqura nga kolegët deputetë të opozitës në protesta t’i quajmë këllëfe. Kushdo që shkon me pistoletë, duhet t’i tregohet vendi. si gjithë qytetarëve të tjerë në Republikën e Shqipërisë”, deklaroi deputeti socialist, Ulsi Manja.

Për t’u përgjigjur, Strazimiri zgjodhi të përdorë me ironi formën  e komunikimit zyrtar në kohën e diktaturës.

“Përsa i përket kobureve që unë kisha në brez atë ditë dhe të ligjit që duhet të funksionojë, me këtë çështje epo merren shokët e sigurimit. Autokritikë nuk kam ndërmend të bëj. Të mbarojnë punën shokët e sigurimit. Unë sigurisht po e ndjek edhe në rrugë partie”, tha ai.

Demokratët do të jenë sërish në komision të martën, kur të diskutohet dhe me gjasë të rrëzohet, propozimi për të ndryshuar ligjin e dekriminalizimit , edhe ky një nga kushtet për rikthimin e normalitetit politik.

Top Channel