Greqi, refugjatët s’ndalen. Qindra të rinj mbërritën gjatë javës

04/04/2016 13:25

Çdo ditë e javës që shkoi solli me qindra emigrantë të rinj në brigjet e Greqisë. Shumë prej tyre nuk dinë asgjë mbi marrëveshjen e Bashkimit Europian me Turqinë, që për ta mund të nënkuptojë një qëndrim fare të shkurtër në tokën helene.

Të tjerë, ata që kanë dëgjuar thashetheme për deportime ëe aferta, shpresojnë me forcë të mos jenë të vërteta. “Uroj që familja ime të ketë në Europë një jetë të re, një jetë të lumtur”, i tha BBC-së Rada Ali.

Kthimi në Turqi për të është i paimagjinueshëm. Planet e gruas nga Damasku janë të udhëtojë bashkë me të afërmit e tjerë drejt Suedisë, ku ndodhet djali i saj i madh.

Por, ashtu si të porsambërriturit e tjerë edhe ajo shumë shpejt do të dërgohet në një qendër sistemimi të përkohshëm, e prej andej mbase, do ta kthejnë mbrapsht.

Të parët që dëbohen janë personat të cilët nuk kanë bërë kërkesë për azil. Por as Rada dhe një emigrant tjetër, i cili identifikohet vetëm si Mustafa, nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë “aplikim për azil”. “Neve na thanë vetëm që të rrimë këtu e të mos lëvizim”, rrëfen Mustafa.

Sipas marrëveshjes së vulosur në Bruksel, të gjithë emigrantët e paligjshëm që kanë kaluar nga Turqia në Greqi, që prej 20 marsit do të kthehen mbrapsht. Secili prej të ardhurve do të verifikohet individualisht nga autoritetet greke.

Për çdo sirian të kthyer në Turqi, një emigrant i rregullt sirian do të sistemohet në vendet e bllokut. Prioritet do t’u jepet refugjatëve që nuk janë përpjekur të hyjnë në BE ilegalisht. Kufiri i numrit të tyre është 72.000.

Top Channel