Greqia, në prag të kaosit. Shkak, protestat e refugjatëve kundër kthimit në Turqi

03/04/2016 00:00

Bllokimi në dy vende i rrugës nacionale pranë Idomenit, nga dhjetëra refugjatë që janë shtrirë në asfalt bashkë me fëmijët e tyre, ka shënuar një prej protestave të fundit, me anë të të cilave emigrantë të dëshpëruar protestojnë për mbylljen e kufijve në veri të Greqisë.

“Kemi arritur në këtë pikë dhe po kërkojmë se çfarë do të ndodhë me ne. Pyes të gjitha vendet se, cili është fati ynë. Askush nuk e kupton se çfarë po kalojmë, përveç nesh. Ne ikëm nga vendi ynë, jo sepse ishim të uritur, por u larguam për shkak se ka një luftë”, tha Fatma, refugjate nga Aleppo.

Ndërkohë, disa orë para zbatimit të marrëveshjes së BE-së me Turqinë, sipas britanikes “Observer”, Greqia ndodhet në prag të kaosit, pasi refugjatët që kanë hyrë në Greqi pas datës 20 mars dhe konsiderohen të paligjshëm protestojnë kundër kthimit të tyre në Turqi.

Gazeta i referohet zëdhënësit koordinativ të qeverisë për Emigrantët, Jorgos Kyritsis, i cili ka deklaruar:

“Po, presim dhunë. Njerëzit e dëshpëruar kanë një tendencë drejt dhunës. E gjithë filozofia e marrëveshjes është të ndalojë trafikimin e njerëzve në Europë nga brigjet turke, por është e vështirë dhe po përpiqemi që ta zbatojmë, duke respektuar anën njerëzore. Refugjatët nuk janë kriminelë, por njerëz që kanë ikur për shkak të luftës”.

“Ne kemi një luftë. Imagjinoni të kishit një luftë në vendin tuaj, çfarë do të bënit? Do të largoheshit. Ne duam të hapen kufijtë, kjo është e gjitha”, tha një tjetër refugjat sirian.

Artikulli zbulon ndërkohë se, agjencia “FRONTEX” nuk ka ende personelin e duhur për operacionin, ndërsa nga 2.300 nëpunësit europianë që pret Greqia për këtë proces, vetëm 200 kanë mbërritur në vend.

Organet greke thuhet se kanë përgatitur vetëm 500 emigrantët e parë, që do të kthehen në Turqi, ndërkohë që po merren masa të reduktohen sa më shumë protestat, si ato që ndodhën në ishullin Hios, ku më shumë se 800 vetë u larguan nga pika e regjistrimit dhe shkuan në portin e ishullit.

E ndërsa vala e refugjatëve është reduktuar vërtet nga brigjet turke, ende numërohen mesatarisht 500 mbërritje të reja në ditë, ndërsa numri i përgjithshëm i refugjatëve në të gjithë Greqinë llogaritet tashmë në 52.500 vetë.

Top Channel