Vuçiç viziton të dielën komunat veriore të Kosovës

01/04/2016 00:00

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç do të vizitojë të dielën dy komunat me shumice serbe në veri të Kosovës, Zubin Potokun dhe Mitrovicën e Veriut.

Gjatë një vëzhgimi të Top Channel në veri të Mitrovicës, gjatë ditës së premte vihej re se qytetarët serbë të asaj ane ishin angazhuar për pritjen e tij, duke vendosur në rrugët kryesore të kësaj komune postera me portretin e tij dhe me mbishkrimin “Të bashkuar mundemi të bëjmë gjithçka”.

Shefi i zyrës serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Djuriç e ka konfirmuar këtë vizitë, duke thënë se Vuçiç do të takohet edhe me minatorët e minierës së Trepçës dhe se, kjo vizitë ka qenë e planifikuar prej dy muajsh.

Ndërsa kryeministri kosovar, Isa Mustafa, një ditë më herët ishte shprehur se kjo vizitë nuk ishte e konfirmuar.

Banorë shqiptarë të Mitrovicës së Veriut i kanë thënë Top Channel se, që nga e mërkura kanë ardhur pjesëtarë të Xhandarmërisë serbe me veshje civile, si dhe ata të shërbimit të inteligjencës së Serbisë “BIA” për të siguruar territorin.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës do të bëjë përcjelljen zyrtare gjatë vizitës së Vuçiç në veri të Kosovës. Zyrtari për Informim i Policisë së Kosovës për Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti ka konfirmuar për Top Channel se janë në gjendje gatishmërie për të siguruar mbarëvajtjen e kësaj vizite.

Vizita e kryeministrit serb në Kosovë vjen në prag të zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, që do të mbahen më 24 prill. Beogradi zyrtar ka kërkuar që të hapen 10 Qendra Votimi nën logon e OSBE-së në komunat me shumicë serbe në Kosovë, ku kanë të drejtë vote rreth 108 mijë serbë.

Top Channel