
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama ka nxitur udhëheqësit botërorë të bëjnë më shumë për sigurinë e impianteve bërthamore, në mënyrë që të parandalohen “të çmendurit” e grupeve të ndryshme, përfshi Shtetin Islamik, të shtien në duart e tyre një armë bërthamore apo një bombë me mbushje radioaktive.
Duke folur gjatë Samitit mbi Sigurinë Bërthamore që po zhvillohet në Uashington, Obama tha se ka një kërcënim të vazhdueshëm e në zhvillim prej terrorizmit bërthamor, pavarësisht progresit të bërë në reduktimin e risqeve të tilla. Por, ai këmbënguli sërish se “ne nuk mund të jemi të vetëkënaqur”.
Obama tha se asnjë grup nuk ka pasur sukses deri më tani në sigurimin e ndonjë materiali bërthamor, por ka ekzistuar një i tillë që e ka tentuar dhe ai është al-Qaeda. Ai përmendi madje veprimet e militantëve të Shtetit Islamik, që qëndrojnë pas sulmeve në Paris dhe Bruksel, për të ngritur sërish shqetësime të tilla.
“Nuk ka aspak dyshim se, nëse këta ‘të çmendur’ do të shtien në duart e tyre një bombë bërthamore apo një material bërthamor, ata me siguri do ta përdornin atë për të vrarë sa më shumë njerëz të pafajshëm të ishte e mundur – tha Obama. – Kjo gjë do të na e ndryshonte botën”.
Obama ka mikpritur më shumë se 50 udhëheqës botërorë, në të katërtin dhe të fundit samit të fokusuar në përpjekjet për të mbyllur në ambiente të sigurta materiale atomike të prekshme, për të parandaluar kështu të ashtuquajturin terrorizëm bërthamor. Mosbindja e Koresë në fushën e bërthamoreve ka qenë gjithashtu ndër çështjet kryesore të axhendës.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka më pak se 10 muaj të mbetur në zyrën presidenciale, për të ndjekur sa më larg të mundet një prej nismave që mban vulën e tij në politikën e jashtme. Edhe pse janë bërë arritje, shumë avokatë të kontrollit të armëve thonë se procesi diplomatik – të cilin Obama e konceptoi dhe e përkrahu fuqishëm, – ka humbur vrullin dhe mund të frenohet edhe më tej kur ai të largohet nga Presidenca në janarin e ardhshëm.
Bojkoti nga Presidenti rus, Vladimir Putin, jo i gatshëm për t’iu bashkuar një samiti të dominuar nga Shtetet e Bashkuara në një periudhë rritjeje tensionesh mes Uashingtonit dhe Moskës për shkak të Ukrainës dhe Sirisë, shton edhe më tej dyshimet nëse ky takim do të përfundojë me vendime madhore.
Sulmet vdekjeprurëse në Bruksel gjatë muajit të kaluar kanë shtuar shqetësimet se, Shteti Islamik mund të shënjestrojë me të gjitha gjasat impiantet bërthamore, të vjedhë prej andej materiale dhe të zhvillojë bombat me mbushje radioaktive. Militantë të këtij grupimi janë zbuluar të kenë regjistruar në mënyrë sekrete rutinën e përditshme të një menaxheri të lartë në një impiant bërthamor të Belgjikës, u shpreh Obama.
Më tej ai shtoi se, 102 vende, aq sa kërkohej, kanë ratifikuar tashmë një amendament të Traktatit të Sigurisë Bërthamore, që do të përforcojë edhe më tej mbrojtjen kundër vjedhjes dhe kontrabandimit të materialeve bërthamore. “Kombet tona e kanë bërë edhe më të vështirë për terroristët, të fusin duart në të tilla materiale. Ne kemi reduktuar në mënyrë tepër të ndjeshme rreziqet që na kanosen”, tha Obama. Por, ai e pranon se, me afro 2.000 tonë materiale bërthamore të strehuara anembanë botës, “jo e gjithë kjo sasi është e siguruar në maksimum”.
Top Channel