Norvegjia ashpërson ligjet për mbrojtjen e refugjatëve

01/04/2016 00:00

Ministria e Drejtësisë dhe Sigurisë Publike në Norvegji ka bërë me dije se u ka dërguar udhëzime autoriteteve të emigracionit që statusi i refugjatit dhe leja e qëndrimit të tërhiqen nëse subjekti nuk ka më nevojë për mbrojtje.

“Këto udhëzime janë të rëndësishme për përforcimin e praktikave të kërkimit të azilit. Ata që nuk kanë më nevojë për mbrojtje duhet të kthehen në vendet e tyre dhe të ndihmojnë në rindërtimin e tij kur situata të jetë e sigurt”, deklaroi ministrja norvegjeze e Emigracionit, Sylvi Listhaug.

Udhëzimet janë në të njëjtën linjë me marrëveshjen e partive politike më të mëdha të Norvegjisë, përfshirë Partinë e Punës dhe atë Konservatore që është në pushtet, që u arrit në nëntor 2015 me kulmimin e krizës së refugjatëve.

Gjithashtu, autoritetet në Oslo kanë deklaruar se Konventa për Refugjatët lejon një masë të tillë kur nevoja për mbrojtje ndërkombëtare humb efekt.

Sipas institucioneve, Drejtoria Norvegjeze për Emigracionin do të jetë ajo që do të shqyrtojë nëse situata e sigurisë, stabilitetit politik apo e të drejtave të njeriut në vendlindjen e refugjatit ndryshojnë dhe që do të vendosë nëse është e sigurtë që ai të kthehet atje.

Gjithashtu, Drejtoria do të lëshojë urdhërin e tërheqjes së statusit dhe lejes së qëndrimit në rast se faktorë të tjerë tregojnë se refugjatit nuk i duhet më mbrojtje.

Top Channel