Ngërç për hapjen e aeroportit, policia në grevë për shkak të sigurisë së mangët

01/04/2016 00:00

Planet për të hapur pjesërisht Aeroportin e Brukselit, mbrëmjen e kësaj të premteje, u ndalën për shkak të një greve nga policia e aerportit për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë.

Aeroporti “Zaventem” është mbylur që prej sulmeve terroriste të 22 marsit. Sindikata e policisë “SLFP” deklaroi për mediat se, masat e sigurisë që janë marrë për rihapjen e aeroportit janë të pamjaftueshme.

“Ne jemi në grevë për shkak të asaj që ndodhi më 22 mars dhe nuk mund të shtiremi sikur ajo ditë nuk ndodhi. Policia mendon se masat e sigurisë, të marra nga kompania që menaxhon aeroportin, janë të pamjaftueshme për stafin dhe pasagjerët”, deklaroi Vincent Gilles, president i “SLFP”-së, sindikata më e madhe e policisë në Belgjikë.

Ai bëri thirrje për më shumë kontroll në rrugën drejt zonës së nisjeve, përfshirë përdorimin e detektorëve për metalet, skanerët truporë dhe pajisjeve me rreze “X” për bagazhet. Operatori i Aeroportit kishte deklaruar më herët se, zona e nisjeve në aeroport, që u dëmtua shumë rëndë nga sulmet terroriste, do të funksionojë me vetëm 20% të kapacitetit, duke pranuar vetëm 800 pasagjerë në orë.

Në një letër të hapur për autoritetet, policia e aeroportit tha se, shpesh ishte ankuar për sigurinë në aeroport, ku theksohej se ishin punësuar shumë njerëz me dosje penale.

Top Channel